Privatizimi i kompanisë së naftës ARMO sipas të gjitha gjasave pritet të fus në arkën e shtetit plot 125 milion euro. Burime nga Ministria e Financave treguan për Televizionin Klan edhe destinacionin ku do të shkojnë paratë e përftuara nga shitja e 85% e aksioneve të ARMO-s.

Gjysma e kësaj shume do të kanalizohet në drejtim të uljes së borxhit dhe gjysma tjetër do të shkojë për investime, kryesisht në infrastrukturën rrugore, sqarojnë burime nga ministria e Financave. Ndërkaq ekspert të fushës duke mbështetur investimet kapitale dhe reduktimin e borxhit me të ardhurat nga privatizimi, theksojnë se qeveria duhet të planifikojë me shumë kujdes adresimin e tyre.

Ardian Civici: “Në qoftë se ka projekte gati dhe ky privatizim ka qenë i përcaktuar që përpara, i parashikuar, atëherë do ishte normale që mund të përdoren tani me buxhetin shtesë të qershorit ose të korrikut. Po në rast se thjeshtë shtohen buxhetet dhe përdoren për projekte ekzistuese do ishte më e rekomandueshme që të ketë një planifikim më të mirë se ku do përdoren dhe mund të përdoren më me efiçencë vitin tjetër”.

Arben Malaj: “Në kushtet kur për vitin 2008, qeveria shqiptare ka investime më shumë se sa burimet që  ka pasur në dispozicion do të ishte mirë që këto para, pikërisht të shërbejnë për ta ulur borxhin, për të ulur deficitin e viti 2008 dhe për të ulur borxhin në mënyrë që ekonomia shqiptare të ketë frymëmarrje më të gjerë në vitet e ardhshme ku tronditjet nga rritja e çmimeve, nga kriza e kredive apo faktorë të tjerë siç janë fatkeqësitë natyrore të mos krijojë situata të vështira për vendin”./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro