Largimi i presidenti amerikan George Bush, mund të pritet mirë në shumë vende të botës që janë kundër politikave të tij në Irak, Afganistan, në Lindjen e Mesme apo gjetkë. Por në Shqipëri shefi në largim i Shtëpisë së Bardhë vlerësohet si hero. Agjencia e lajmeve Reuters në reportazhin e saj kushtuar vendit tonë dhe ndjenjave të thella pro amerikane, vlerëson se shqiptarët i janë mirënjohës Uashingtonit, jo vetëm për mbështetjen e fuqishme ndaj pavarësisë së Kosovës por edhe ndihmës së madhe për anëtarësimin e vendit tonë në NATO.

Gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë, në takimin e me kryeministrin Sali Berisha, Bush tha se koha e pavarësisë së Kosovës kishte ardhur dhe i kërkoi shqiptarëve të tregonin durim. Më 17 shkurt të vitit 2008, SHBA u bënë të parat që njohën pavarësinë e Kosovës. Në Fushë Krujë ku Bush u përball me një pritje spektakolare, njerëzve u vjen keq për largimin e tij dhe e vlerësojnë akoma vizitën e qershorit të vitit 2007.

Në furrën e bukës së Klarita Topit e bërë e famshme tashmë nga ndalesa e kreut të shtëpisë së bardhë, fotografitë e tij janë kudo.

Klarita Topi: “Në qytetin e Fushë Krujës njëherë ishte një diçka e veçantë ardhja e Bushit, ishte një bekim ndash për biznesin tonë, ndash për popullin e Fushë Krujës edhe për tërë Shqipërinë”.

Në biznesin e Festim Çelës që mban emrin George W Bush. Ai thotë se i ka pëlqyer shumë fjalimi i lamtumirës, ai e ruan me kujdes tavolinën ku Bush u ul bashkë me një berber, një furrtar, një bari dhe një rrobaqepës për të diskutuar programin e kredive të vogla të financuar nga SHBA. Këto dy biznese janë kthyer në pika turistike për shqiptarët dhe të huaj që vijnë në Shqipëri, ndonëse disa turist italian nuk janë të bindur se fotot e vëna në mur janë të vërteta.

Kjo 70-vjeçare ndjehet tepër e veçantë pas përqafimit të ngrohtë që presidenti Bush i dha në vizitën e  tij.

Thomaidha Kaziu: “U kënaqa shumë që më tha i ka ngja nonës time, edhe që atë ditë më thërrasin nëna e Bushit”.

Në atë qershor historik për shqiptarët, vendi ynë u bë i pari në rajon që e priti Bushin si një hero dhe si një rok starë”./tvklan.al