Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Para gjyqtarëve të krimeve të rënda, dëshmoi babai i Gjovalin Ndreut, personit që humbi jetën bashkë me komisarin Gani Malushi, në atentatin e 6 Gushtit të vitit të kaluar.

Kjo qe seanca e dytë ku është i pranishëm i akuzuari për vrasjet Agim Pepa, i cili nuk ka deklaruar asgjë gjatë dëshmisë që ka bërë Preng Ndreu, ky i fundit përshkroi historinë e gjatë të krushqisë dhe më pas lindjes së gjakmarrjes mes dy familjeve. Por shkak i ngjarjes së Gushtit qe sipas tij, konflikti me nënën e Agim Pepës.

Dëshmitari dha një tjetër variant nga ai që dha në seancën e kaluar i akuzuari. Nëna e Pepës ka tentuar të vrasë Preng Ndreun dhe për këtë arsye është sulmuar nga të afërmit e tij.

Gjykatësi: I qëndroni asaj që thatë këtu, që Prena Shurbi kishte ardhur për të vrarë dikë nga juve?

Preng Ndreu: “Zotëri gjyqtar, unë e thashë dhe njëherë dhe po e përsërisë, nëna e Agim Pepës ka ardhur për të më vrarë mua personalisht”.

Gani Malushi, ka qenë në dijeni se familja Ndreu ka pasur precedentë. Dëshmitari tregoi, se Malushi e ka vizituar në burg, ku vuante dënimin për vrasjen e babait të Agim Pepës. Gjithnjë sipas dëshmitarit, Malushi i ka premtuar Preng Ndreut, se djalin e tij do të vazhdonte ta mbante si shofer dhe se Agim Pepa, me të cilin Malushi ka biseduar, i kishte premtuar faljen e gjakut.

Të ndryshme me këtë deklaratë kanë qenë ato të dëshmitarëve të tjerë, ish-shefit të rendit në Krujë, Selami Kapedani dhe ish-shefit të krimit po në këtë komisariat Astrit Peshaj. Ai tha, se komisarit Gani Malushi iu rekomandua të kishte si shoferë viktimën Ndreu dhe se ai ishte mjaft i shqetësuar për këtë fakt, duke qenë në dijeni se familja e tij kishte probleme gjakmarrje./tvklan.al