Dëshmitarët e thirrur në procesin ndaj bandës ” Hakmarrja për drejtësi”, mohojnë deklaratat e bëra në polici menjëherë pas ngjarjeve. Ish juristja e bankës Fatmira Caci ka mohuar sot se në momentin e grabitjes me armë të Bankës së Vlorës, ka arritur të shohë nga monitori i sistemit të saj në drejtorinë e Bankës dy persona me armë, megjithëse për diçka të tillë ka firmosur në procesverbalet e hetuesisë pas ngjarjes.
Ndërsa Thanas Plaku, polici i mbetur i plagosur në këtë ngjarje, ka dëshmuar se personat që e qëlluan kanë qenë me maska dhe nuk ka mundur t’ju shohë fytyrat. Megjithëse në momentin e plagosjes ka tentuar të qëllojë ndaj tyre. Dëshmitari i tretë nga Vlora, ish menaxheri i VEFA-s e ka mohuar plotësisht dëshminë e tij në vitin 1996 megjithëse ka pranuar se firma në procesverbal është e tij.
Mbi 10 të akuzuarit e kësaj bande, rendojnë mbi dhjetëra akuza për vrasje, rrëmbim personi, grabitje bankash me dhunë e të tjera ndër të cila dhe vrasja e drejtorit të burgut dhe eksplozivin në supermaketin e VEFA-s. Po në Gjykatën e Faktit në Tiranë ka vijuar sot procesi ndaj ish bosëve të shoqërisë ” Gjallica”.
Për gati 3 orë, Prokurori i çeshtjes ” Gjallica” ka lexuar një pjesë të korespondencës së ish drejtuesve të kësaj shoqërie. Mënyra se si janë transferuar paratë, sa janë dhënë për sponsorizime për persona apo institucione apo në fushata elektorale, bëhet e njohur nëpërmjet këtyre mijëra faqeve korrespondencë të Shemie Kadrisë, Gani Kadrisë dhe Fitim Garxhalliut me vartës së tyre apo persona të tjerë të cilët janë edhe përfitues nga paratë e “Gjallicës”./tvklan.al