Lajme Arkiva 2003
Ministri i Drejtësisë është njohur ditët e fundit me raportin që është paraqitur nga grupi i punës i cili kontrolli dosjet e firmave piramidale në zyrën e përmbarimit.
Sipas zëdhënësit të Ministrit të Drejtësisë Spiro Peçi, Kristo Mërtiri, në raport janë paraqitur shkeljet e vërejtura në këto dosje. Bëhet fjalë për pushim të vendimeve për ngrirje të pasurive të personave debitor ndaj firmave piramidale.
Zëdhënës Mërtiri tha se ministri nuk disponon listën e personave debitor ndaj këtyre firmave. Ai e bëri këtë sqarim pas zërave se shumica e debitorëve janë politikanë. Së shpejti kreu i Ministrisë së Drejtësisë do të vendosë për masat ndëshkimore ndaj punonjësve të përmbarimit, të cilët rezultojnë përgjegjës për moszbatim të vendimeve.
Ndërkohë në zyrën e përmbarimit konfirmohet se gjatë një jave u kontrolluan rreth 2000 dosje që nga viti ’97 e këtej. Shumë prej tyre nuk janë ekzekutuar sipas përmbaruesve për faj të administratorëve të firmave piramidale.
Pas mbërritje të urdhrit për sekuestrim të pasurive të debitorëve , shprehen përmbaruesit, pak ditë më vonë na paraqitej një tjetër urdhër, po nga ekzekutorët e fajdeve për pushim të ekzekutimit.
Edhe pse nuk bëhet i njohur asnjë emër zyrtari apo politikani flitet për persona të administratës shtetërore të cilët janë debitor deri në shuma miliona Dollarë, veçanërisht gjatë firmës Vefa./tvklan.al