120 ish-punonjës të Uzinës së Armëve në Poliçan do të marrin pagat e prapambetura. Vendimi u mor në mbledhjen e fundit të qeverisë, ndërsa Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se në dispozicion për pagat dhe sigurimet shoqërore do të jenë 83 milion euro.
Niko Peleshi, Ministër i Mbrojtjes: Unë nuk e inkurajoj, flas edhe në emër të kabinetit që detyrimet e akumuluara ndër vite nga ndërmarrja shtetërorë apo shoqëria aksionere shtetërorë të bëhet praktikë të paguhet nga buxheti i shtetit, pra e dekurajojmë këtë rrugë. Por ky është një rast specifik, bëhet fjalë për një industri specifike sensitive, dhe mund të jetë rasti i fundit që buxheti i shtetit merr përsipër të paguajë këto detyrime.
Peleshi foli edhe për rijetëzimin e industrisë së vjetër ushtarake në Shqipëri. Sipas ministrit, investitorë dhe kompani të huaja që synojnë prodhimin e armëve dhe municioneve kanë treguar interes.
Niko Peleshi, Ministër i Mbrojtjes: Kemi interesime, kemi patur vashdimisht në vitet e fundit, interesime për industrinë ushtarake. Investitorë të huaj, kompani të huaja kanë ardhur dhe kanë vizituar, kanë parë potencialin e tyre. Ne duam të ndryshojmë qasjen nga Shqipëria 1 Euro në Shqipëria partnere në çdo investim të përbashkët, qoftë në investitorë të huaj, qoftë në investitorë vendas.
Këto lëvizje të qeverisë vijnë pas propozimit që Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky që bëri nga Tirana më 29 Shkurt, por dhe vetë angazhimit të kreut të qeverisë Edi Rama për të realizuar eksporte ushtarake “Made in Albania” brenda vitit 2030.
Klan News