Ka nisur në kryeqytet prodhimi i letërnjoftimeve të rinj, në ditën kur është inauguruar dhe qendra e printimit të tyre. Kryeministri Sali Berisha dhe përfaqësues të firmës Sagem, kanë asistuar në nxjerrjen e dokumentit të parë, i cili i korrespondon qytetarit të parë që ka aplikuar në 12 janar dhe prej këtij momenti të konsideruar si sukses nga kreu i qeverisë kjo qendër do të prodhojë çdo ditë rreth 20 mijë letërnjoftime elektronike të këtij formati që shihni në ekran.
Sali Berisha: “Është një ditë që shqiptarët e presin prej 10 viteve, mbase për qeverinë time ky projekt ka përbërë prioritetin absolut. Ky është një projekt me rreth 30 milion, euro është një projekt i cili pajis qytetarët shqiptarë me dokumentet më model të një identiteti. E gjithë rruga jonë është një rrugë përballje dhe krahasimi, nja garë përballje dhe krahasimi në një univers kërkesash, vlerash, standardesh, kriteresh që ne duhet t’i plotësojmë.”
Menaxheri i përgjithshëm i kompaninë Aleat u shpreh se ndihet optimist që në një kohë kaq të shkurtër u arrit konstruksioni i ambienteve të ish tipografisë ushtarake tashmë qendra e personalizimit të kartave biometrike dhe identitetit dhe pasaportave elektronike si dhe fillimi i procesit të regjistrimit, prodhimit dhe shpërndarjes së tyre.
Sali Berisha: “Vlera dhe rrjedhojat e vendosje s së këtij sistemi të identifikimit janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, të shumëllojtë, janë shtylla e procesit të modernitetit të këtij vendi. Ka qenë një proces me angazhime të shumta, një seri kompanish të kontraktuara direkt nga qeveria apo të ofruara nga organizatat ndërkombëtare bënë të mundur përgatitjen e dokumenteve të referencës për tenderin, në të cilën ne kemi bërë përkujdesjen për transparencën me maksimale. Ky tender u fitua në transparencë të plotë nga kompania lider në botë në fushën e këtyre dokumenteve Sagem.”
Kompania a nisur projektin Pilot në Shqipëri në gusht të vitit të kaluar dhe aktualisht ka një staf prej 200 punonjësish, numër i cili në muajt në vazhdim pritet të shkojë në 500, këto dokumente me elemente të lartë sigurie janë të vlefshme për një periudhë 10 vjeçare, garantohen nga një numër unik dhe përmbajtje të dhënash demografike dhe biometrike, si portreti i plotë i aplikuesit, firma e tij digjitale dh shenjat e gishtërinjve. Kjo qendër ka marrë përsipër pajisjen e të gjithë shtetasve shqiptar me letërnjoftime të reja dhe pasaporta biometrike si dhe përkujdesjen për këto shërbime për një periudhë 5-vjeçare./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani