Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi ngritjen vitin e ardhshëm të universitetit për administratën publike.

Për këtë qëllim, duke filluar nga java që vjen, do të ngrihet një grup i posaçëm pune që do të përcaktojë të gjithë hapat deri në ngritjen e universitetit, për të cilin kryeministri sugjeroi përzgjedhjen e modelit më të mirë evropian.

Aktualisht, pranë Departamentit të Shërbimit Civil funksionon Instituti i Trajnimeve, që nuk duket të jetë i mjaftueshëm për vetë sfidat me të cilat po përballet administrata shqiptare për shkak të procesit të integrimit evropian.

Sali Berisha: “Ngritja e Universitetit të Administratën Publike është një domosdoshmëri e mprehtë e ngutshme. Ne tani dorëzojmë pyetësorin dhe të mos harrojmë se në momentin e marrjes së vendimit nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Ministrave për t’i akorduar Shqipërisë statusin e kandidatit në kohën e caktuar sigurisht. Para Shqipërisë hapet një etapë e re në marrëdhënien me Bashkimin Evropian ajo e negocimit të dhjetëra kapitujve të procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë në BE. Është e domosdoshme që ne mbi baza tërësisht publike apo partneriteti publik privat të përzgjedhim modelin më funksione, të ngremë një Universitet të Administratës Publike. Është e domosdoshme që të përpiqemi të fillojë punë vitin e ardhshëm.”

Mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri e fokusoi në rëndësinë e rivënies në funksion të Teatrit të Komedisë dhe Satirës. Z. Berisha tha se fati i këtij zhanri të artit është i dhimbshëm në raport me fusha të tjera të artit dhe kulturës, që në 20 vjet kanë njohur shpërthim të fuqishëm.

Sali Berisha: “Në vend që të lartësoi ai që quhet Teatri i Estradës apo Estrada në një Teatër Komedie dhe Satire me sa shoh unë nuk funksionon më. E hëngrën pallatet  edhe atë. Imagjinoni ju të viktimizojnë betonet satirën e një kombi. Humorin e një kombi, se çfarë goditje të rëndë i japin. Ndaj zoti ministër keni bërë shumë mirë që keni mbështetur Operan dhe do ta mbështesim më shumë, që keni mbështetur Teatrin Kombëtar dhe do ta mbështesni edhe më shumë. Por ne duhet të rivendosim Teatrin e Komedisë dhe Satirës shqiptare Të gjendet salla, t’i jepet karakter kombëtar dhe jo lokal se po ja dhamë lokal prapë e hanë betonet dhe të përcaktohen dhe stimuj në mënyrë që të rindërtohet se faktikisht përveçse disa përpjekjeve të televizioneve të cilat janë për tu lavdëruar, po dhe ato si lanë mesazhet. Megjithatë ekrani nuk zëvendëson skenën. Do mbledhësh ekspert të kësaj fushe, shkrimtar, satirist dhe ky institucion i pazëvendësueshëm duhet të fillojë të funksionojë me mbështetjen e qeverisë. Ka njeri që mund të më bindë mua që njerëzit nuk duan të qeshin.”

Gjatë mbledhjes së Qeverisë u morën disa vendime të rëndësishme, si ai që ka të bëjë me unazën elektrike të jugut, një financim i Bankës Gjermane, KFW. Po kështu, u mor vendim mbi projektin e rrugëve rajonale me vlerë 50 milion euro./tvklan.alGazetare: Menada Zaimi