Kryedemokrati Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e sotme mbledhje me të zgjedhurit vendorë, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë të PD-së.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së, Berisha ka shpalosur projektin e Partisë Demokratike në rast se vjen në pushtet në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Berisha ka theksuar se jo vetëm që do vendosin minimumin jetik 200 Euro, por do e indeksojnë me ligj. Më tej, kryedemokrati ka shtuar se nuk do ketë rrogë në Shqipëri nën 500 Euro.
Sali Berisha: Pra, kjo është gjendja. Mund të flasim gjer nesër, por ne kemi zgjidhjen, ne me qytetarët do flasim për zgjidhjen. Ne kemi zgjidhje të sigurta. Dhe ne, iu garantoj ju se kurrë ndonjëherë nuk e kemi ndryshuar këtë vend më shpejt se sa do e ndryshojmë pas 11 Majit. 3 muajt e parë ne vendosim paketën e emergjencës, 200 Euro për çdo shqiptar dhe këta janë qindra mijëra. Çfarë do të thotë 200 Euro, është shumë? Jo, pak është. Por nuk ka më mjerim. Me 200 Euro ne i themi mjerimit nuk ke vend në Shqipëri. Me 200 euro për person ne japim mundësi që çdo qytetar t’i ketë gjërat bazë, të mos ketë lista, të ushqehet dhe nuk është kaq. Ky 200 Euro do indeksohet me ligj, pra do indeksohet në përputhje të plotë me rritjen e çmimeve. Jo vetëm kaq, ky 200 Euro do shoqërohet me kartën e konsumatorit. Kjo do të thotë që të gjitha gjërat bazë që do blihen me TVSH, do u rikthehte TVSH-ja.
Thamë, ne do përmbysim shpërndarjen e të ardhurave në Shqipëri. nuk shkohet kështu. Po krijohej një hendek i tmerrshëm i cili ose po i përpinte në mjerim, ose po i degdiste shqiptarët nga Shqipëria. Tani ne jemi në emergjencë ndaj dhe çdo rrogëulët, çdo person me 200 Euro, çdo pensionist do ketë kartën e konsumatorit. Sa është kjo? Specialistët thonë se është rreth 3 pensione, pra rreth 450 mijë Lekë. Nuk do jetë vetëm kaq. Energjinë elektrike, do rikthehet fasho e mbrojtura, jo me 77 sa ka qenë në vitin 2013, por me 70 Lekë. Do proporcionohet edhe çmimi i ujit. Se çfarë bënë këta? Këta për rrogat e larta u kujdesën në mënyrën më të zellshme. Këta rritën rrogat e larta në Shqipëri sa në Slloveni. Sllovenia ka rrogat më të lartat në rajon, në Shqipëri ka rroga të larta më të larta se në Slloveni. Nuk e bën asnjë qeveritar i përgjegjshëm këtë. Pra, do shpërndahen të ardhurat. Natyrisht rrogat e larta nuk do rriten gjersa të arriten në proporcionin 4 me 1. Sot është 10, nuk duhej të ishte kurrë kështu.
Tani kemi rrogën minimale. Rroga minimale, për fat të keq është rrogë dominuese në Shqipëri, nuk do jetë më nën 500 Euro. Jo. Çdo punëdhënës duhet ta dijë se nuk do mund të paguajë më në territorin e Shqipërisë njeri nën 500 Euro. Po vendosim një standard që e ka çdo vend demokratik. Madje vendet e tjera e kanë me orë punë. Kjo është barrë për sipërmarrësit, por i garantoj se do lehtësohen me taksat, me tatim-fitimin, me taksën e importeve, me sigurimet shoqërore. Dhe natyrisht nuk do jetë i humbur nga vendosja e kësaj rroge. Por kjo rrogë do vendoset. Shqiptarët nuk do mund të paguhen më nën 500 euro. Pra, ne do kemi programin tonë për të përndjekurit politikë. Kemi punuar, por tani së shpejti do kemi një tryezë për ta se duam të dëgjojmë sugjerimet e tyre.
Do kemi programin tonë për pronarët. Janë rikthyer ligjet e vitit 1945 këtu. Po, po! Marrin fund ato. Do kemi programin tonë për shëndetësinë, për arsimin. Programet tona do jenë transformuese. Askush nuk duhet të ketë mëdyshje. Në një buxhet 8.2 miliardë Euro, të lësh 16 milionë për pensionistët, nuk ka akt më cinik dhe të pashpirt.
/tvklan.al