Shqipëria do të bëhet pjesë e iniciativës botërore për autizmin, në mënyrë që kjo sëmundje që shfaqet tek fëmijët rreth moshës 3-vjeçare të kapet në kohë.

Lidhur me këtë nismë Ministria e Shëndetësisë ka pritur në një takim presidenten e shoqatës, “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha dhe përfaqësues të Shoqatës Botërore të Autizmit.

Liri Berisha: “Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” bëhet pjesë e iniciativës globale të autizmit, të shëndetit publik, iniciativë kjo e ndërmarrë nga fondacioni “Autism Speaks” në Nju Jork. Ekspertë nga Londra, nga Nju Jorku kanë ardhur sot këtu për t’u njohur me problemet e autizmit në Shqipëri”.

Duke folur për strategjinë e përmirësuar të diagnostifikimit të fëmijëve autik, ministrja Godo vuri theksin tek reforma që po bëhet në shëndetin mendor, ndërsa shtoi se numri i fëmijëve të prekur nga autizmi ka ardhur në rritje.

Anila Godo: “Ne kemi vendosur, është marrë tashmë ky vendim, që psikiatria infantile të dali dhe të funksionojë më vete ashtu siç tashmë e meriton. Ndoshta mund të jemi dhe pak të vonuar në këtë vendim dhe të mos funksionojë e integruar bashkë me psikiatrinë e adultëve, gjë që nuk ka kuptim. Numri i fëmijëve autik është shtuar dhe kuptojmë që ky shtim është relativ. Nuk ka ndodhur asgjë që të shtohet, por është rritur sensibilizimi ynë, është rritur diagnostikimi ynë dhe është bërë ajo që duhet të bëhet.”

Po ashtu Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi se falë strategjisë së shëndetit mendor që ka filluar aplikimin 3 vjet më parë, numri i shtrimeve në spitalet psikiatrike ka ardhur në rënie, ndërsa vëmendja është përqendruar në shtëpitë familje, ku trajtohen personat me probleme mendore./tvklan.al