Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Automjetet me mbi 6 vjet përdorim duhet të dalin nga qarkullimi për shkak të ndotjes. Ky është propozimi i një shtese në ligjin për mbrojtjen mjedisit, propozuar nga dy deputetët e Partisë Demokrate Reformatore. Projektligji synon gjithashtu përshkallëzimin e taksës doganore për makinat me kriter shkallën e përdorimit.
Kështu propozohet që makinat që janë më shumë të përdorura të taksohen më shumë, deri tek ato të rejat që sipas projektit nuk duhet të taksohen fare në doganë. Projektligji synon gjithashtu të ndalojë dhe importin e gomave të përdorura. Në të gjithë vendin qarkullojnë afro 250 mijë automjete ndër të cilat afro 100 mijë vetëm në Tiranë.
Ndotja për shkak të makinave është e dukshme sidomos për Tiranën, për shkak të përdorimit masiv, në mbi 87% të makinave të naftës, që është më ndotëse se benzina. Sipas statistikave, në vendin tonë qarkullon një makinë në 10 persona./tvklan.al
Gazetar: Lorenc Shehu