Lajme Arkiva 2003
Prokuroria nuk i ka konsideruar si të rëndësishme akuzat e bëra nga një përfaqësues i Komunitetit Mysliman Shqiptar në ditën e bajramit në lidhje me vrasjen e Sali Tivarit. Kryemyftiu i Elbasanit Halit Muharremi duke e konsideruar vrasjen e 13 janarit në selinë e komunitetit si një 11 shtator për prishjen e imazhit të myslimanëve shqiptarë ka akuzuar organin e hetimit se po fsheh autorin e vërtet të krimit.
Halit Muharremi: Prokuroria më vend që të mbante sekret pistat e hetimit dhe të shpallte vrasësin, deri më tani kanë bërë të kundërtën. Kanë shpallur bishtat e hetimit dhe kanë mbajtur sekret vrasësin. Duke bërë kështu prokuroria gatishmërisë së myslimanëve për bashkëpunim i përgjigjet duke vënë bashkë padashje forcat dhe integrimet anti- islame që prej kohësh po injektohen si helm në trupin dhe trurin e publikut shqiptar.
Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshëm shprehet nëpërmjet zyrës së shtypit se deklaratat e bëra në festën e Kurban Bajramit, konsiderohen si emotive. Po sipas kësaj zyre vrasja e sekretarit të përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, po trajtohet si një çështje me prioritet dhe për momentin nuk mund të bëhet asgjë publike për rezultatet e hetimit.
Prokuroria shprehet se myftiu i Elbasanit nuk ka qenë i përfshirë në listën me dhjetëra dëshmitarë që janë pyetur nga organi i akuzës dhe i bën thirrje atij të paraqitet me cilësinë e dëshmitarit nëse ka dijeni mbi vrasjen e Sali Tivarit./tvklan.al