Ajo që ishte shkruar në raportin e inteligjencës italiane për vitin 2017 se organizatat kriminale shqiptare kanë një rol shumë ta madh në trafikun e drogës, e konfirmon në Tiranë edhe Prokurori Kombëtar i Antimafias dhe Antiterrorizmit në Itali, Federico Cafiero De Raho.
Zyrtari italian pas një takimi me Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku tha se krimi shqiptar bashkëpunon ngushtë më organizatat mafioze italiane Ndragheta dhe Sacra Corona Unita. Përveç drogave të lehta dhe trafikut të armëve shqiptarët trafikojnë dhe kokainën.
“Krimi shqiptar është shumë i pranishëm në Itali dhe në aleancë të ngushte me Ndraghetën, Sacra Corona Unita dhe grupe të tjera kriminale. Ka një shtrirje në të gjithë bregdetin tonë atë Jonian dhe Adriatik po dhe në pjesën veriore të Italisë . Grupet shqiptare drejtojnë në Itali duke trafikuar droga të lehta, por kohët e fundit shqetësim është bërë edhe trafiku i kokainës nga ana e tyre”.
Për De Rahon është me rëndësi që të largohen nga policia, ata që bashkëpunojnë me grupet kriminale për të krijuar një strukture të besueshme.
“Largimi i punonjësve të policisë, të cilët mund të kenë bashkëpunuar me grupet kriminale është me rëndësi. Duhet krijuar një strukturë e besueshme dhe të identifikosh njerëzit e ndershëm. Vettingu në polici tregon dëshirë për të luftuar krimin”.
Prokurori italian takoi edhe Ministrin e Brendshëm, Famir Xhafaj me të cilin diskutoi për luftën kundër krimin dhe goditjen e aseteve financiare. Midis dy vendeve ka disa hetime të përbashkëta për të cilat priten rezultat konkrete.
Tv Klan