Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Prokuroria e Përgjithshme do të analizojë me detaje të gjithë veprimet dhe menaxhimin e urdhrave dhe informacionit gjatë operacionit për arrestimin e anëtarëve të rrjetit ndërkombëtar të heroinës.
Tashmë nga burimet e organit të akuzës bëhet e ditur se natën e 22 Qershorit, kur në Itali dhe në Shqipëri ishte planifikuar arrestoheshin pjesëtar të një segmenti të trafikut ndërkombëtar të drogës, policisë shqiptare arritën t’i shpëtonin të paktën 7 persona, tashmë të shpallur në kërkim.
Prokurori Sollaku ka zhvilluar dhe një takim me prokurorë të çështjes, duke kërkuar prej tyre hetim, për të bërë të mundur jo vetëm plotësimin e dosjes hetimore, por dhe bllokimin e pasurive të personave të shpallur në kërkim, apo persona të tjerë familjarë dhe suport të të akuzuarve.
Kështu në Vlorë janë sekuestruar mjetet e katër shtetasve të cilët kanë shpëtuar nga prangat dhe pritet të lëshohen të tjera urdhër-sekuestro për disa objekte. Një analizë pritet të zhvillohet dhe në Ministrinë e Rendit. Forcat speciale nuk arritën të ekzekutonin urdhër-arrestet e lëshuar në Fier dhe Vlorë, pasi personat ishin informuar më parë.
Ministria e ka cilësuar në shtyp operacionin të suksesshëm arrestimin e 6 personave, por vetëm një ditë pas kësaj deklarate u zbardh fakti se një nga personat e arrestuar ishte ndaluar gabimisht, pasi bëhej fjalë për një kasap të thjeshtë dhe të paimplikuar./tvklan.al
Gazetare: Aranita Brahaj