Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Prokuroria zbardh emrat e të dyshuarve kryesor, si vrasës të sekretarit të përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar Sali Tivari. Pas katër muajsh hetim, organi i akuzës duket se ka arritur të zgjedhë një nga katër pistat e deklaruar fillimisht, si motiv kryesor për eliminimin e funksionarit të lartë të selisë së KMSH. Vrasje për shkak të konflikteve të krijuara gjatë menaxhimit të pronave dhe vlerave ekonomike të komunitetit, duket që ka qenë motivi i krimit.

Rëndësia dhe kompetencat e Tivarit jo vetëm në menaxhimin e pronave, por dhe në kontaktet e funksionarëve të lartë me organizmat dhe individë jashtë vendit, gjithmonë për llogari të selisë së komunitetit, duket se kanë shkaktuar konflikte personale, por dhe e kanë bërë kreun organizativ të KMSH mjaft të ekspozuar ndaj disa aferave enigmatike.

Një muaj më parë, Prokuroria e Tiranës ishte në një fazë të ngrirë të hetimit. Pas tre muajsh nga data e vrasjes prokurorët e çështjes nuk kishin arritur të shtonin ndonjë element të rëndësishëm në dosje.

Kështu një muaj më parë çështja u kalua dhe njëherë për hetim pranë strukturave të policisë gjyqësore të Tiranës. Ndërsa një grup i gjerë agjentësh policor në disa rrethe të vendit, kanë vepruar gjatë gjithë kësaj kohe. Si rrjedhojë e materialeve të grumbulluara, burime nga prokuroria bëjnë të ditur se tashmë janë identifikuar personat kryesor, të interesuar për eliminimin e Sali Tivarit dhe hetimet priten që brenda pak kohësh të finalizohen edhe me lëshimin e urdhër-arresteve për autorët e atentatit të 13 Janarit në zyrën kryesore të KMSH./tvklan.al