Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj lëvizjes “MJAFT!” nga denoncimi i bërë nga drejtoria e policisë për zhvedosje vetëm me disa metra të vendit të protestës. Bëhet fjalë pikërisht për protestën e zhvilluar përpara kryeministrisë ku me dhjetra vajza të reja të veshura me fustane nusesh ironizonin ndryshimin e protokollit që atributet e zonjës së parë i kalonte nga vajza e presidentit te bashkëshortja e kryeministrit Xhoana Nano. Procedimi penal ka nisur ndaj dy drejtuesëve kryesorë të lëvizjes “MJAFT!” Erjon Veliaj dhe Arbian Mazrekut.

Erjon Veliaj: “Për herë të parë i gëzohemi faktit që drejtësia shqiptare i shkon nji çështjeje deri në fund. Shohim se si kriminelë të ndryshëm i shpëtojnë forcës së ligjit, shohim se si politikanë të korruptuar që akuzohen çdo ditë për shpërdorime detyre apo abuzime me fondet, i shpëtojnë forcës së ligjit dhe gëzohemi që më në fund një lëvizje qytetare bëhet pre e ligjit dhe për herë të parë gjykatat shqiptare apo institucionet e prokurorisë dhe të forcave të rendit po i shkojnë deri në fund një çështjeje që ngritën.”

Arbian Mazrekut: “I kalon nivelet e tedenciozes dhe turpit dhe shkon drejt niveleve të qesharakes.
“MJAFT!” ka qënë gjithmonë e kujdesshme që të plotësojë të gjitha ligjet që shteti shqiptar ka dhe neve gjithmonë kemi vepruar brenda ligjeve të vendit.”

Drejtuesit e lëvizjes “MJAFT!”, shprehen të sigurtë se edhe pas këtyre presioneve do të vazhdojnë protestat e tyre popullore. Protestat e radhës do të jenë për të kundërshtuar ngritjen e impiantit të plehrave në Kashar dhe abuzimet në arsim. /tvklan.al