Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Javën e ardhshme pritet që dosja ndaj të dyshuarve si organizatorë të manifestimit të dhunshëm në Himarë, të shkojë në gjykatë. Kështu kanë bërë të ditur burimet pranë prokurorisë së rrethit të Vlorës, e cila akuzon të paktën 5 persona për poshtërim të Republikës së Shqipërisë dhe simboleve të saj.

Janë mbledhur të gjitha provat e mjaftueshme, që vërtetojnë akuzën ndaj këtyre personave, për të cilët u vendos dje masa e sigurisë me burg në mungesë, kanë konfirmuar burimet. Ndërkohë të pandehurit tashmë të larguar nga Shqipëria, janë shpallur në kërkim edhe nga Interpoli. Megjithatë, procesi gjyqësor ndaj tyre mund të përfundojë shumë më shpejtë se ata të kapen.

Për prokurorinë e Vlorës është e rëndësishme që këta njerëz të ndëshkohen sa më shpejtë nga gjykata, për veprën e kryer qoftë edhe në mungesë. Neni 268 i kodit penal, në bazë të të cilit akuzohen Kolila, Llazari, Llapo, Bejleri dhe Kokaveshi, parashikon ndëshkimin e tyre me gjobë deri në dy vjet burg./tvklan.al