Prokuroria shqiptare ka kryer një shkelje të rëndë kushtetuese pak ditë më parë, kur ka kërkuar me telefon ndalimin në aeroport të qytetarit britanik dhe boshnjak, biznesmenit të Damir Fazlliç. Para së gjithash dhe mbi të gjitha me verbëri të plotë politike, prokuroria e përgjithshme e Ina Ramës ka urdhëruar me telefon një lloj si në kohërat më të zeza të vendit, ndalimin dhe shoqërimin me forcë të biznesmenit të huaj.
Kështu një prokuror i afërt me prokuroren Ina Rama, madje me lidhje familjare me të ka marrë në telefon drejtorinë e policisë kufitare të Tiranës dhe i ka kërkuar bllokimin dhe moslejimin të kaloj kufirin nga Shqipëria të një qytetari të lirë, pa i dërguar më parë asnjë njoftim me shkrim. Të njëjtën gjë ka përsëritur me urdhër të Ina Ramës dhe zv/prokurorit të Tiranës Mazreku, i cili ka marrë në telefon për të njëjtën gjë shefin e komisariatit të Rinasit, sikur prokuroria shqiptare të ishte prokurori e vjetër politike që mund të përdorej për qëllime të fëlliqura politike të ndonjë frymëzuesi të saj.
Ky veprim ndodh sot në një kohë kur Shqipëria pretendon të integrohet në Europën e qytetëruar dhe të lirë.
Një tjetër shkelje e rëndë është edhe urdhri me shkrim që është bërë pasi Damir Fazlliç, është larguar me avionin e tij nga Shqipëria. Kështu prokurori Dritan Rreshka, i ka kërkuar komisariatit të Rinasit që të ndaloj shtetasin e huaj e ta shoqëroj me forcë për në Prokurori, ky urdhër është në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe kodin e procedurës penale, pasi në bazë të nenit 308, ftesa për paraqitje duhet të njoftohet të paktën 3 ditë përpara asaj që është caktuar për paraqitje. Ligji parashikon këtë afat që t’i japë mundësi personit që kërkohet të pyetet që ai të sigurojë mbrojtje më avokat dhe të njihet me akuzën ose përmbajtjen e kërkesës për pyetje.
Por prokuroria jonë njëlloj si ajo politike, e ka lëshuar urdhrin në pasditen e datës 8 tetor, duke vënë si afat paraqitjen në prokurori orën 18:00 të po kësaj date, pra vetëm 2 apo 3 orë nga lëshimi i urdhrit. Ky veprim tregon se prokuroria është kujtuar ose është shtyrë nga ndonjë frymëzues politik që të bllokoj shtetasin anglezo-boshnjak Damir Fazlliç, vetëm pse ai erdhi për të dhënë intervistë në TV Klan.
Nëse prokuroria në këtë çështje nuk do të ishte shtyrë nga motive politike së paku do të kishte respektuar ligjin duke njoftuar për paraqitjen në prokurori sipas kritereve, afateve dhe procedurave që përcakton ligji shqiptarë dhe nëse ai nuk i bindej ftesës dhe paralajmërimit, mund të procedohej sipas procedurave të parashikuara në ligj. Nga ana tjetër përforcohen dyshimet për përdorim politik të prokurorisë kur mësohet se në prokurori është falsifikuar regjistri i regjistrimeve të çështjeve penale dhe që prokuroria nuk lejon inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë të kontrollojnë regjistrin lidhur me këtë falsifikim./tvklan.al