Kryedemokrati Sali Berisha iu është drejtuar me një mesazh të zgjedhurve të të gjitha niveleve dhe anëtarëve e mbështetësve të Partisë Demokratike.
Mesazhi ka në qendër protestën e 11 Korrikut, për suksesin e të cilës, ish-kryeministri thotë se janë vendimtare 3 ditët e ardhshme. Më tej, Berisha shprehet se ajo duhet me çdo kusht të jetë protesta më e madhe dhe më e fuqishme që ka njohur Tirana deri më sot.
Anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së, Berisha ju ka bërë thirrje që të bëjnë gjithçka për mobilizimin më të paparë për të garantuar pjesëmarrjen e demokratëve në protestë.
Më 11 Korrik, Berisha thotë se mbështetësit e PD-së duhet të dëshmojnë para shqiptarëve dhe botës se janë shumica politike e vendit e gatshme për çdo betejë e fitore.
MESAZHI I ISH-KRYEMINISTRIT BERISHA:
Tre ditët e ardhshme janë vendimtare per suksesin e protestës të 11 Korrikut, e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme për opozitën. Ajo duhet me çdo kusht të jetë protesta më e madhe dhe më e fuqishme që ka njohur Tirana deri sot!
Ndaj është jetike që në këtë hark të shkurtër kohor të bëni gjithçka për mobilizimin më të paparë, për të garantuar pjesëmarrjen e çdo anëtari dhe antareje, mbështetësi dhe mbështetëse të PD në protestën e 11 Korrikut.
Më 11 korrik, ne demokratet dhe demokratët edhe mbështetësit tanë duhet të dëshmojmë para shqiptarëve dhe botës se ne jemi shumica politike e vendit, e gatshme për çdo betejë, për çdo fitore! O sot o kurrë! Me 11 Korrik të gjithë në Tiranë! Fitore!
/tvklan.al