Banorët e fshatit të quajtur Kashar 2 janë mbledhur në qendër të fshatit të tyre për të protestuar kundër montimit në këtë zonë të impiantit të përpunimit të plehrave e cila bie ndesh me interesat e banorëve. Ata mendojnë se një gjë e tillë ndikon negativisht në këtë zonë dhe më gjerë.

“ Ne jemi kundër vendosjes së një impianti të tillë në zonën tonë, për më keq, jemi kundër pasi këtu nuk do të vijnë vetëm plehrat e Tiranës, se shumë kemi edhe të afërm në Tiranë dhe i pranojmë plehrat, po do të vijnë plehrat e Evropës.”

“Jo nuk jemi dakord, se prishet mjedisi komplet.”

Kjo protestë u organizua me iniciativën dhe mbështetjen e lëvizjes “MJAFT!” dhe u vu re mungesa këtu e drejtuesëve të pushtetit vendor.

“ Ju e shihni dhe vetë, asnjë nga drejtuesit lokalë nuk është pjesëmarrës në këtë, përkundrazi ata bëjnë një propagandë për pro pa dhënë asnjë argument për të këqijat që ka ky impiant.”

Në fund të gjithë pjesëmarresit në protestë nënshkruan një peticion që kundërshton shndërrimin e kësaj zone në një depozitë plehrash.

“Ky peticion që është duke u përmbushur tani është peticioni i vetëm njerëzve të Kasharit, do t’i paraqitet të gjithë autoriteteve, sipas Konvetës së Saros-it dhe të gjithë ligjeve në fuqi. Njerëzit, të cilët do të preken apo do të vuajnë impaktin e çdo lloj impianti që mund të ndërtohet, janë ato që duhet të pyeten nëse ato duan që një gjë e tillë të ndodhë.” /tvklan.al