Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Nëse kryebashkiaku do të këmbëngulë për prishjen e të gjitha ndërtimeve në zonën e Unazës së Re, atëherë askush nuk do të mbajë përgjegjësi nëse përsëritet ngjarja e dy viteve më parë në Bathore. Banorët kanë vazhduar protestën e tyre kësaj here paqësore, kundër vendimit të bashkisë, për prishjen e ndërtimeve pa leje, që pengojnë planin e bërë nga kjo e fundit për urbanizimin e zonës.
Banori 1: “Kryetari i bashkisë në mënyrë absurde thotë, që unë i du të largoni, sa të ketë mundësi hapësirë, 30 metra, 40 metra, nuk do lejë as edhe një ndërtim në këmbë. Ky është një absurditet, për arsye se nuk duhet të flitet me atë ton, për këtij populli që të ka dhënë votën. Ai duhet të flasë, të vijë të ulet këtu me ne, të vijë të na tregojë planin, si janë problemet.”
Banori 2: “Unë njëherë nuk kam ku shkojë, unë kam kaluar detin dy herë me kalamajt e mi, jam fut në det, gjithë atë pasuri që e mora e hodha këtu, nuk më tha njeri mos ndërto. Unë tokën e kam marrë që në ’91, njeri nuk i ka dalë për zot, nuk është faji im.”
Banori 3: “Ia dhamë votën Edi Ramës për të na bërë legalizimin, jo për të na bërë prishjen pa kriter. Ne të presim të dali ligji në parlament, pastaj të vazhdojë prishja, ne nuk jemi kundër urbanizimit, se vlerën këtij vendi ia rritëm ne, se këtu e gjetëm pa shtëpi, pa asnjë gjë.”
Protesta gjatë gjithë kohës është mbikëqyrur nga forca të shumta policie./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka