Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Ish-të përndjekurit politikë kanë dalë në shesh për të protestuar. Edhe njëherë tjetër, ata kanë përsëritur kërkesën e tyre tashmë të njohur, zbatimin e ligjit për dëmshpërblim, për vitet e burgut të vuajtura gjatë regjimit komunist. Protesta e cila ka nisur në mesditë përpara kryeministrisë, kësaj here është zhvilluar e qetë.
Pas incidentit të ndodhur mes policisë dhe protestuesve, ditën e hënë, kur policët përdorën forcën për t’i shpërndarë protestuesit, me dhjetëra policët e mobilizuar për të siguruar mbarëvajtjen e protestës të drejtuar nga Pjerin Ndreu, drejtori i policisë së Tiranës, kanë ruajtur gjakftohtësinë edhe përballë sharjeve të protestuesve.
Me protestuesit janë bashkuar edhe deputeti i Ballit Kombëtar Shpëtim Rroqi dhe deputeti demokrat Azgan Haklaj. Rroqi ka mohuar se po e shfrytëzon grevën e të përndjekurve për motive politike.
Shpëtim Rroqi:- “Unë i përkas kësaj shtrese, së dyti unë nuk mund të spekulojë me gjakun tim dhe me vuajtjet e mija, së treti, nuk ka gjë më njerëzore, nuk ka më të drejtë në botë se sa këta që kërkojnë integrimin e tyre, s’kërkojnë asgjë më shumë nga sa mori Fatos Nano, Aranit Çela e Ramiz Alia”.
Nga kryeministria, ish-të përndjekurit të udhëhequr nga kryetari i shoqatës së tyre Adem Allçi, i janë drejtuar sheshit “Nënë Tereza”, ku pasi kanë qëndruar për pak minuta, kanë lënë dhe takimin e radhës në datën 5 Qershor./tvklan.al