Kryedemokrati Sali Berisha i ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë që të bashkohen në aksionin opozitar teksa ka thënë se nesër do të luftojnë për interesat më jetike të tyre.
Sali Berisha: Këtë akt, këtë vendim të mosbindjes civile, PD, demokratët dhe opozitarët e ndërmarrin si mënyrën e mbështetjes, si mënyrën e fuqisë dhe mbështetjes të interesave, të dinjitetit, të lirisë të çdo qytetari shqiptar që i beson votës së lirë. Që beson se ligji dhe Kushtetuta duhet të funksionojnë. Që beson se Shqipëria pa opozitë është një katastrofë. Që beson se Edi Rama me organizatën e tij kriminale qeveri është vërtetuar tashmë si armiku më i egër i qenies dhe identitetit shqiptar.
Gjatë fjalës së tij në konferencë për mediat, kryetari i PD-së, Berisha shprehet se protesta që do të zgjasë 3 orë gjatë pasdites së nesërme, do të zhvillohet kundër atij që e quan “regjimi më i urryer antishqiptar”.
Sali Berisha: Do ju njoh tani me statistikën më të fundit të Eurostatit. Eurostat konfirmon se nga viti 2014-2023, Shqipëria është braktisur nga 1.099.734 qytetarë. Është braktisur nga plot 38 qytetarë dhe kjo vetëm në hapësirën e Shengenit. Nëse shton ata që janë larguar në SHBA, të tjerë që kaluan La Manshin me gomone apo shkuan në Lindjen e Mesme dhe vende të tjera, të garantoj që ata që u larguan nga ky regjim janë më shumë se 40 përqind e shqiptarëve. Ndaj edhe ato tre herë kundër regjimit, i ftoj qytetarët të bashkohen në ato protestë sepse po luftojmë pikërisht për interesat më jetike të çdo qytetari shqiptar kundër një regjimi të urryer antishqiptar.
Protesta e opozitës së martën pritet të sjellë bllokime rrugësh në disa akse të vendit, si mbikalimi i Kthesës së Kamzës, në Milot, Shkozet, rrethrrotullimin e Rrogozhinës, Levanit dhe Bradasheshit./tvklan.al