Partia Demokratike ka lajmëruar Policinë e Shtetit që do protestojë të martën për 3 orë. Në materialin informues të dërguar në polici, PD informon policinë se tubimi do të nisë në orën 17:00 dhe do përfundojë në orën 20:00. Ndryshe nga protesta e fundit, Partia Demokratike do e shtrijë mosbindjen civile në disa segmente rrugore duke bllokuar qarkullimin.

Në kryeqytet protestuesit do të bllokojnë mbikalimin e Kthesës së Kamzës, në hyrje të Tiranës. Bllokim do të ketë dhe të akseve të tjera, dhe më konkretisht rrethrrotullimet në Milot, Shkozet, Bradashesh, Rrogozhinë dhe Levan. 

Në njoftimin e policisë nuk ka ndonjë skenar tjetër nëse do të qëndrojnë vetëm aty, apo do të lëvizin në pika të tjera. Për mbarëvajtjen e tubimit, të shpërndarë në disa qytete njëkohësisht, do të angazhohen rreth 1200 forca policore.

Pothuajse e gjithë policia rrugore do të jetë në terren me qëllim kontrollimin e lëvizjeve të automjeteve që të mos ketë bllokim të rrugëve. Policia apelon qytetarët që të shmangin kalimin në këto segmente, ndërsa në rast nevoje të përdorin rrugë alternative. Po ashtu pjesë e planit të masave do të jenë edhe efektivë të Forcave të Rendit, Shqiponja dhe Forca të Sigurisë Kombëtare.

Policia ka njoftuar organizatorët se i garantohet e drejta e tubimit, por bllokimi i rrugëve përtej orarit të lajmëruar është vepër penale.

Klan News