Opozita i ka vendosur 10 ditë afat qeverisë për të marrë vendim për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në tubimin përmbyllës pas tre ditë qëndrimi në sheshin përpara kryeministrisë, tha se hapja e kutive mbetet një kusht i panegociueshëm.
Edi Rama: “Populli opozitar ka shtruar në formë ultimative kërkesën e tij për qeverinë. Të hapen kutitë e votimit ose vala e protestës do të hapet në të gjithë Shqipërinë në qoftë se brenda 10 ditësh Sali Berisha nuk hap kutitë e votimit për të mbajtur me pahir në këmbë qeverinë e tij dhe për të vazhduar të shkatërroj shtetin dhe ekonominë shqiptare për interesat e familjes së tij ne do ta ngremë në këmbë popullin shqiptar si një familje të vetme vlerash demokratike dhe do të ndalemi vetëm kur në Shqipëri të jenë shpallur zgjedhjet e parakohshme”.
Gjatë fjalimit të tij në proteste kryetari i PS-së tha se beteja për votën e lirë ka hyre në një fazë të re me veprime konkrete por që nuk nënkupton siç tha përdorim të dhunës ndaj institucioneve.
Edi Rama: “I mirëkuptoj thellësisht të gjithë ata ndër ju të cilët padrejtësia e madhe e 28 qershorit, por dhe të gjitha padrejtësitë e zullumet që pasojnë njëra-tjetrën duke u nxirë jetën përditë e më shumë i shtynë drejt mendimit se ky pushtet horrash duhet shporrur me dhunë. Por ne nuk jemi forca e verbër e të shkuarës që rikthehet në jetën shqiptare me dhunë për të marrë pushtetin. Ne jemi fuqia e lirë e të ardhmes që do ti japë fund pushtetit të dhunës mbi zgjedhjet dhe mbi të gjitha lirinë dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve. Ne nuk vijmë nga tradita e dhunës mbi institucionet dhe nuk nxisim dhunë ndaj institucionet e marra peng nga dhunuesit e votës sonë”.
Dita e 3 e protestës së socialistëve u mbyll në orën 13:30 minuta të së dielës. Burime brenda grupit parlamentar socialist bëjnë të ditur se si pjesë e strategjisë së saj politike në vijim, selia rozë parashikon edhe grevën e urisë./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi