Në Ministrinë e Arsimit u zhvillua këtë të hënë një protestë tjetër pas vrasjes së 14-vjeçarit një javë më parë nga një bashkëmoshatar i tij. E pranishme aty ishte edhe Jonida Proga, motra e Egli Progës, i cili humbi jetën në Pogradec pasi u dhunua për vdekje nga disa persona në muajin Gusht.

“Ju tashmë më njihni. Vazhdoj të jem motra e Egli Progës. Erdha sot këtu mes jush për Martinin, engjëllin e vogël të babait të tij dhe Florinës, nënës së tij zemërmadhe. Çfarë zemre duhet të ketë një nënë që nuk mallkon e as nuk kërkon hakmarrje për kasapin e djalit të saj 14-vjeçar? Dritën e syve të saj. A ka njeri në Shqipëri të ma thotë? Florina vetëm vajton e nuk kërkon asgjë, madje as drejtësi. E pse duhet drejtësi pas ikjes së Martinit të vogël? Për të edukuar babain e vrasësit, vrasësit me jatagan në dorë apo nënën e tij që nuk duket askund në këtë tragjedi? Ku është Vilma Përlleshi, nëna e vrasësit? Përse nuk flet? Përse fshihet? Ku do gjeni ju prindër më të paqtë se prindërit e Martinit që u iku drita e syve nga jatagani në zemër dhe nuk kërkojnë asgjë, vetëm të ikin nga sytë këmbët nga ky vend, nga skena e krimit. A dëgjon qeveria, policia, prokuroria, media, populli mbarë? Prindërit e Martinit duan vetëm të ikin jashtë Shqipërisë dhe të harrojnë këtë vend që është kthyer në një vend krimi. Po, po, vend krimi. Edhe familja ime iku nga Pogradeci, i banditëve. Erdhi në Tiranë se nuk mund të qëndrojë aty, në atë vend krimi. Sa kohë do vazhdojë kjo gjendje”, pyeti ajo.

Proga kërkoi përgjegjës moral për vrasjen e 14-vjeçarit. Për të, janë edhe mësuesit e vrasësit. Po ashtu i bëri thirrje policisë që të mos bëjë të njëjtin marifet si me vëllain e saj.

“Nuk shkojnë 10-tat me jataganin në çantë, o mësues të shkollës së vrasësit. Nuk ka asnjë mundësi që 10 në fletoren e vrasësit të qëndrojë krah për krah me jataganin e vrasësit. I bëj thirrje Policisë së Shtetit, mos bëj të njëjtin marifet si me vëllain tim. Gjej jataganin dhe vrasësin tjetër e mos justifikohet, por të vetëfajësohet. Kush del me jatagan në moshën 14-vjeçare? E imagjinoni ç’mund të bëjë në moshën 24-vjeçare apo 34? Qeveri po të thërras, ke përgjegjësi për krimin që vrau martinin. Është dita ta nxirrni përgjegjësin e parë dhe mos të rrini të prisni të kalojnë ditët dhe të fashitet dhimbja jonë. Jo, ne s’do lejojmë që dhimbja jonë të shkojë kot së koti dhe këtë herë”, tha ajo. /tvklan.al