Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në burg” për Denis Meçen autorin e dyshuar të vrasjes së Englantin Progës në Pogradec.

Ngjarja e rëndë ndodhi në datë 10 Gusht në Pogradec. Ankim kundër vendimit të Gjykatës së Korçës kishte bërë vetëm 29-vjeçari Meçe, i cili kërkon masë më të butë sigurimi.

Prokuroria e Korçës e ka regjistruar procedimin penal dhe është duke e hetuar ngjarjen për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”.

Kjo ngjarje u shoqërua me debate të shumta dhe përplasje mes institucioneve, për mënyrën si u veprua nga organet ligjzbaturese, në momentin kur ndodhi ngjarja. Familjarët ngritën pikëpyetje se policia tentoi të manipulonte ngjarjen.

Deri më tani organi i akuzës nuk ka dal në një konkluzion përfundimtar se cili ishte motive i sherrit. Ndërkohë është theksuar se Proga dhe Meçe kanë qenë në të njëjtin lokal duke pirë alkool. Sipas hetuesive ata janë zënë jashtë lokalit dhe Meçe e ka goditur Progën disa herë me grushte që i solli më pas humbjen e jetës 24 orë më vonë në spitalin e Pogradecit.

Familja e 42-vjeçarit pretendon se ai është dhunuar fillimisht brenda në lokal dhe më pas edhe jashtë tij. Gjithashtu ata kanë dyshime se Meçe nuk ka vepruar i vetëm, por ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë që dhunuan deri në humbjen e jetës 42-vjeçarin Proga.

Organi i akuzës në Korçë është duke pritur rezultatet e akt-ekspertimit të celularëve në mënyrë që të zbulojë edhe motivin e sherrit. Nëse mes autorit të dyshuar dhe viktimës ka pasur konflikte të mëparshme. 

Klan News