Peshq të ngordhur të mbuluar me naftë. Kjo ka qenë mënyra që ka zgjedhur Këshilli Rinor Shqiptar për të protestuar ndaj ndotjes së rivierës sonë. Këshilli e improvizoi këtë skenë përpara Ambasadës Greke në Tiranë. Sipas përfaqësuesve të tyre, hedhja e hidrokarbureve në det prej anijeve greke ka acarruar si asnjëherë, jo vetëm shëndetin e turistëve që pushojnë në jug, por edhe dinjitetin kombëtar të shqiptarëve.

“Sipas nesh, qeveria greke mban përgjegjësi sipas ligjeve ndërkombëare detare, sepse anijet kanë pasur flamur grek dhe shteti grek duhet të fillojë hetimin për të kuptuar cilat kanë qenë këto anije. Këto gjenden, sepse ka fakte, ka dokumnete brenda anijeve. Shteti shqiptar nuk i disponon këto mundësi të mbajtjes së anijeve të Greqisë, këto i ka shteti grek e para, e dyta, shteti grek mban përgjegjësi për një ndotje të caktuar dhe duhet të sigurojë dëmshpërblimin.”

Nesër protesta e Këshillit Rinor Shqiptar do të vendoset përpara Ministrisë së Mbrojtjes, e cila sipas tyre duhet të mbajë përgjegjësi për mossigurimin e kufijve tanë detarë. E ndërkaq Ministria e Mjedisit deklaron se ndotja në detin Jon ka nisur të precipitojë. Sipas Agjencisë Rajonale të Mjedisit, ndotja ka filluar të shpërbëhet.

“Nuk vihen re njolla mbi sipërfaqen e ujit dhe mbi bregdetin ranor dhe shkëmbor të Jonit. Mund të themi se kjo sasi, me plot fjalën, është hedhur, pra arrijmë në konkulzionin që kjo sasi është hedhur nga mjete lëvizëse, por nuk mund të themi, sepse nuk është detyra jonë, sepse nuk i kemi në vartësi, se cilat janë këto mjete lëvizëse, a janë vendase, të huaja, turistike, ekonomike apo ushtarake.”

Me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet mbi këtë ngjarje dhe ka bërë një listë me personat që do të thirren si dëshmitarë. Ndërkaq inspektoriati i qarkut ne Vlorë njofton se në bregdet po bëhen aksione pastrimi nga organet vendore. /tvklan.al