Liderët e Kosovës, vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik pozicionit të tyre kundër nënshkrimit të protokollit mes EULEX-it dhe Serbisë. Ky qëndrim u ripërsërit edhe të mërkurën, nga  presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe atë vetëm një ditë pasi Brukseli mbështeti EULEX-in në nismën e tij.

Fatmir Sejdiu: “Nuk kam çfarë them tjetër se ne e kemi mbyllur debatin rreth tij dhe e kemi dhënë fjalën tonë. Ne e kemi partner të mirë të bashkëpunimit për interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës.”

Kundër protokollit, u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka kohë që nënshkrimin e protokollit me Serbinë, e quan të tejkaluar.

Mirëpo, si Sejdiu e Thaçi, duket se nuk mendon edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Në një intervistë dhënë Evropës së Lirë, ai tha se nënshkrimi i protokollit mund të ndodhë pasi EULEX, mori vizën nga Bashkimi Evropian.

E kundër këtij protokolli po të mërkurën u shpreh edhe Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Kosovës. Ky komision kërkoi që të zbatohet Kushtetuta dhe neni 17 i saj për ratifikim në Kuvend të marrëveshjeve ndërkombëtare./tvklan.al