Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Bashkia e Himarës mbetet thembra e Akilit mes partive shqiptare dhe PBDNJ. Sikurse në zgjedhjet e fundit, ku për herë të parë u realizua koalicioni PS-PD, përsëri bashkia e Himarës nuk do t’i lihet PBDNJ. Kjo parti nga burime jo zyrtare, kishte kushtëzuar aleancën me socialistët, me mbështetjen e kandidatit të saj në Himarë. Anëtari i kryesisë socialiste Pandeli Majko, i pyetur nga TV Klan se çfarë do të bëhej me bashkinë që kërkon PBDNJ, deklaroi:
Pandeli Majko:- “Himara nuk u diskutua fare, Himara do të jetë e PS mesa di”.
Himara nuk do të mund të vendoset kusht nga PBDNJ as kundrejt opozitës. Sekretari i përgjithshëm i PD Ridvan Bode saktësoi, se partia e tij nuk do të bënte kompromis për këto çështje.
Ridvan Bode:- “Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar, nuk jemi për kushte paraprake, bashkëpunimi me kushte paraprake me asnjërën prej partive. Të gjitha partitë që janë të gatshme për të bashkëpunuar me PD dhe për të vepruar në opozitë me qeverisjen socialiste, do të jenë të mirëpritura në bashkëpunim me ne, por pa përcaktuar kushte paraprake”.
Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut kishte kërkuar bashkinë e Himarës, në këmbim të aleancës me socialistët, në të kundërt do të bisedonte me PD./tvklan.al