Gjiknuri: Nuk ka kohë për ndryshimin e sistemit
Koha nuk është shqetësimi kryesor për mbylljen e draftit të reformës zgjedhore. Për Damian Gjiknurin 31 maji është vendosur si afat për arritjen e dakordësisë mes palëve, pasi drafti përfundimtar mund të dojë edhe më shumë ditë.
“Edhe këto 3-4 ditë në gjejmë dakordësinë në princip…Qëllimi ky është, që më 31 maj të kemi dakordësi politike, por mund të marrë pak ditë më shumë”, thotë Gjiknuri.
Në intervistën për Tv Klan, Gjiknuri pranon se janë gati të lëshojnë pe nga propozimet e tyre për depolitizimin e administratës, si dhe përbërjen e Kolegjit Zgjedhor në funksion të arritjes së marrëveshjes.
“Mund të ketë hapësirë për elementë shtesë kontrolli ku partitë që sot kanë akses në komision, të mund të kenë sy, vesh dhe të kenë të drejta të garantuara, gjë që besoj do ta mundësonte kompromisin”.
Në parim palët kanë rënë dakord për përdorimin e teknologjisë, por në zgjedhjet e vitit 2021 vetëm për identifikimin e zgjedhësve dhe pilotim në pak njësi për votimin.
“Në parim kemi rënë dakord për përfshirjen të identifikimit elektronik në qendrat e votimit. Deri në ç’masë, kjo duhet parë, do ekspertizë”.
Gjiknuri ripërsërit se nuk ka kohë për të ndërhyrë për sistemin elektoral dhe i bën të qartë opozitës brenda parlamentit se me votat që ka nuk mund t’i imponohet partive të mëdha, që aktualisht nuk e kanë në axhendë këtë çështje.
“Sot ke një opozitë që nuk e përmend sistemin aktualisht. Partia Socialiste ose mazhoranca edhe ajo nuk ka thënë se ne kemi dëshirë të ndryshojmë sistemin por jemi të hapur do flasim të fundit. Nuk mundet thjesht një grupim i vogël që në parlament meqënëse ka disa vota të imponojë sistemin e tij. Nuk imponohet sistemi. Për sistemet o bëhet marrëveshje e madhe, po nuk mund të imponojë një pakicë”.
Propozimi i ambasadores amerikane, që rekomandon një sistem danez, a mund të merret në konsideratë?
“Ato vende janë sovrane dhe kanë histori të tyre”.
Sa i takon kërkesës së opozitës për qeveri tranzitore përpara zgjedhjeve, Gjiknuri përsërit se nuk është çështje që është shtruar ndonjëherë në tryezen e Këshillit Politik, pasi shkon përtej kompetencave të kësaj strukture. Sipas tij kjo kërkon marrëveshje mes 2 liderëve të mazhorancës dhe opozitës.
Tv Klan