Në 8 muaj e ardhshëm që i paraprijnë garës për parlamentarët 2025 dhe ethet elektorale janë të pritshme të reflektohen edhe në sallën e parlamentit.
I vetëdijshëm për atë që e pret, Niko Peleshi në intervistën e parë si kreu i ri i grupit parlamentar tregon gadishmërinë që të ndihmojë në uljen e toneve të debatit kuvendor, madje për të folur dhe për vazhdimin e Reformës Zgjedhore siç kërkon opozita.
Niko Peleshi: Natyrisht që konsensusi është një fjalë jo shumë në modë. Nuk do të lodhem duke investuar dhe në atë korsi. Ku ka mundësi për t’u ulur bashkë, për të ndërtuar nismat së bashku dhe çdo hapësirë tjetër që mund të na lejojë edhe koha edhe të riaktivizojmë kontaktet dhe bashkëpunimin. Jam i gatshëm të takohem me Bardhin.
Edhe pse nuk e pohon për mikrofonin e Tv Klan, Peleshi as nuk e mohon se pikërisht për shkak të profilit jokonfliktual, si një nga ministrat më pak të sulmuar nga opozita, ishte një nga arsyet pse Rama pas 10 vitesh që e kishte anëtar të kabinetit qeveritar, e vendosi të drejtoj grupin parlamentar.
Niko Peleshi: Nuk e lidh këtë besim me atë që thatë ju, por e lidh me një eksperiencë që e kam krijuar në shumë vite qeverisje.
E një nga çështjet e para të forta që do të përballet si drejtues grupi, është seanca e 12 Shtatorit, ku do të votohet për mocionin e mandatit të Olta Xhaçkës.
Niko Peleshi: Çështja e mandatit të deputetes Xhaçka për ne nuk ka qenë një çështje emri. Ne nuk kemi pasur asnjëherë dilema nëse duhet apo jo të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye nuk kishte asnjë surprizë.
Por nga ana tjetër, ata duket se s’do ta lënë me kaq. Ashtu siç pati deklaruar, paraardhësi i Peleshit, shumica do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë opinion nëse Gjykata Kushtetuese me vendimet e saj mund të diktojë vullnetin e shprehur me votë të deputetëve.
Niko Peleshi: Për të sqaruar me një konsulencë nga Komisioni i Venencias se ku fillon dhe mbaron vullneti i deputetëve.
Me filozofinë se nuk bëhen mburojë për asnjë individ, të mërkurën do të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit për deputetin tjetër socialist, Vullnet Sinaj.
Peleshi zbulon dhe çfarë përmban plani i masave që qeveria do të bëjë publike shumë shpejt sa i takon transparencës.
Niko Peleshi: Ne kemi një ligj shumë të mirë të informimit publik. Ne nuk kemi gjë për të fshehur si qeveri dhe si institucione kushtetuese.
Për transparencën, për strategjinë parlamentare të këtyre muajve të mbetura deri në zgjedhje, por dhe për punën voluminoze që e pret parlamentin gjatë procesit të negociatave, grupi parlamentar socialist do të mblidhet nga kryeministri në një takim informal javën e ardhshme.
Tv Klan