Lajme Arkiva 2003

Shkodra është qyteti i parë pas Tiranës kur kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit qeverisës, vijoi ceremoninë elektorale siç e quajti ai për prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie Gjergj Leqeza dhe 14 kandidatëve të tjerë për kryetar komunash. Shkodrani Gjergj Leqeza duke kërkuar votat e 12 Tetorit premtoi më shumë ndërtime ne Shkodër dhe më pak politizim.

Kryeministri Fatos Nano ftoi myslimanë dhe të krishterë të rinj dhe pleq që të marrin në dorë shansin e drejtimit të Shkodrës për evropianizimin e saj.

Fatos Nano: Duke përsëritur se kjo Shkodër nuk më pëlqen, ju ftoj që së bashku ta rindërtojmë qytetin e Rozafës, të cilin nuk e përshkruaj dot më mirë se Fishta, Marubi, Luigj Gurakuqi, Mjeda e plotë kolosë shkodran të elitës pjesë e panteonit dhe e krenarisë sonë kombëtare.

Fatos Nano theksoi se në 12 vjet falë drejtimit të të djathtëve Shkodra nuk ka parë progres, sepse ka munguar vullneti i bashkëpunimit me qeverinë. Në Shkodër janë hedhur miliarda lekë investime nga qeveritë socialiste, për infrastrukturën rrugore në shëndetësi dhe arsim.

Shkodra është bashkia e parë në vend që nuk do ti mungojë uji i pijshëm 24 orë falë marrëveshjes me qeverinë austriake, tha Fatos Nano. Së shpejti rrjeti i ri i shpërndarjes me fuqi 20 kilovolt rrit 3 fish më shumë furnizimin me energji elektrike, tha kryeministri.

Fatos Nano: Duke shtruar këtu programin që do të vazhdojë të zbatohet deri në fund të këtij viti për rinovimin e 60% të kabinave elektrike, pranë jush si përdorues mund të deklaroj i sigurt, se krizës energjetikë në Shkodër i erdhi fundi.

Në Lezhë kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano pati surprizën e ndërprerjes së energjisë elektrike në Pallatin e Kulturës, pikërisht ndërsa fliste kryetari aktual i bashkisë së Lezhës Gjok Jaku.

Bilanci tre vjeçar i punës së kandidatit të Partisë Socialiste u ndërpre për pasojë të djegies së transformatorit në nënstacionin elektrik të Lezhës. Drejtuesit lokal të pranishëm në takime e quajtën të pranishëm duke e dyshuar për një ndërhyrje të mundshme në rrjetin elektrik, megjithatë policia ka nisur hetimet. 30 minuta më pas takimi elektoral u mbajt në sheshin Gjergj Kastrioti.

Fatos Nano: Siç e shikoni edhe sallat nuk na nxënë edhe linjat nuk e mbajnë gjithë këtë energji, prandaj kam nderin të jem sot midis jush, jo vetëm për të gëzuar së bashku fitoren e sigurt të zgjedhjeve vendore të 12 tetorit edhe këtu në Lezhë, por për të kryer së bashku një bilanc pune dhe arritjesh spektakolare të qeverisjes socialiste duke marrë njëkohësisht angazhime të reja që afrojnë Lezhën me Gjokën me Shqipërinë dhe Evropën./tvklan.al