Debati me korrespondencë dhe mediatik mes selisë së PS dhe ministrisë së Brendshme mbi listat e shtetasve që janë pajisur me letërnjoftime elektronike, tingëllon politik dhe aspak ligjor.
Në kërkesën që sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste në dy letrat drejtuar ministrit të brendshëm Bujar Nishani, kërkon me insistim listat dhe emrat e personave me apo pa pasaportë, duke kërkuar kështu dhe të dhënat personale të cilat shkelin ligjin që garanton mbrojtjen e tyre.
Është ky ligj që paracakton qartë se çdo kërkesë duhet të ketë reference ligjore duke identifikuar dhe qëllimin e përdorimit të këtyre të dhënave. Një gjë që nuk ndodh në tre kërkesat e drejtuara ministrisë së Brendshme nga partia Socialiste.
Ja çfarë shkruhet në nenin 10, pika 3, të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke përcaktuar qartë se:
“Në rastet kur përdorimi i të dhënave bëhet në një formë, që lejon identifikimin e subjektit të të dhënave, të dhënat duhet të kodohen menjëherë, në mënyrë që subjektet të mos jenë më të identifikueshëm. Të dhënat personale të koduara përdoren vetëm nga persona, të cilët janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin”
Referuar Kodit zgjedhor, në nenin 179 / pika 3 të tij, thuhet se: “Listat e shtetasve, i dorëzohen KQZ-së dhe ministria e Brendshme informon në mënyrë periodike, jo me pak së një here në muaj KQZ-në, në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit.”
Kjo listë i është vënë në dispozicion dhe misioneve të huaja si OSBE-ODIHR, si dhe subjekteve politike. Një gjë që ka ndodhur edhe me Partinë Socialiste e cila në mënyrë periodike është informuar mbi procesin e pajisjes së shtetasve shqiptar me letërnjoftimin elektronik./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani