Pak ditë përpara mbajtjes së kongresit të jashtëzakonshëm të PS, baza socialiste kërkon kandidimin e anëtarit të kryesisë, Ben Blushi, për kryetar të partisë.

Kërkesa është bere zyrtare nga anëtarësia e Partisë Socialiste të Korçës në takimin e fundit të asamblesë së saj ditën e djeshme.

Ilir Pendavinji: “Iu kërkua deputetit Ben Blushi në mënyrë unanime e theksoj që ai të kandidojë për kryetar të PS-së të Shqipërisë, përballë dy kandidaturave të tjera që kanë dalë, Edi Ramës dhe Arben Malaj.”

Në rezolutën e miratuar në mbledhjen e degës së Partisë Socialiste të Korçës është vlerësuar dhe puna e mirë e anëtarësisë, deputetëve dhe të gjithë simpatizantëve të kësaj partie për të mbrojtur votat duke sjellë fitoren e socialistëve në qarkun e Korçës.

Kjo pikë e rezolutës ka sjellë debate pasi një pakicë e pjesëmarrësve në mbledhje kanë mbështetur rezolutën Rama ku deklarohet se nuk njihen zgjedhjet për shkak të manipulimeve dhe vjedhjes së votës.

Ilir Pendavinji: “Ka patur debat, pjesa tjetër që mbështeste të themi rezolutën e Asamblesë Kombëtare ishin një pjesë e vogël, ishin rreth 4, 5 veta të cilët debatonin. Në këtë mbledhje Asambleje u miratua dhe një rezolutë dokument në të cilin vlerësohet dhe falënderoj votuesit korçar për votën me të cilën ata na besuan ne. Ishte një votë si asnjëherë tjetër që i është dhënë PS-së në qytetin e Korçës. Në mënyrë të veçantë në këtë dokument u falënderuan komisionerët e qytetit të Korçës për punën që ata bën, për të mos u tjetërsuar vota dhe të mos deformohej vullneti i votuesve korçar.”

Vetëm 5 ditë  nga mbajtja e kongresit të jashtëzakonshëm të socialistëve, pritet që deputeti Blushi, nisur dhe nga mbështetja që ka nga anëtarësia e partisë tij, të shpall kandidaturën për kryetar të partisë duke u rreshtuar kështu për krah Ramës dhe Malajt, kandidatë këta të zyrtar për të drejtuar selinë rozë./tvklan.al