Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Grupi parlamentar socialist, ka marrë vendimin politik, për të hedhur poshtë kërkesën e opozitës, për ngritjen e komisionit hetimor për Edi Ramën. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit, kryetari Nano ka dalë publikisht në mbrojtje të punës së kryebashkiakut Edi Rama. Madje duke deklaruar rikandidimin e tij në emër të mazhorancës në zgjedhjet lokale.

Socialistët kanë mbështetur argumentet ligjore të paraqitura nga kryekomisioneri për ligjet Spartak Braho, sipas të cilit kjo kërkesë bie ndesh me legjislacionin për pushtetin lokal, si dhe konventat ndërkombëtare të Këshillit të Europës. Ashtu si edhe kryeministri Nano, diskutantët e tjerë, i rekomanduan demokratëve, të depozitojnë kërkesën e tyre në prokurori dhe në këshillin bashkiak. Me këtë rast është kujtuar fatura e përmbytjeve të lumit Lanë, duke bërë përgjegjës ish-kryebashkiakët demokratë, Kelmendi e Brojka.

Bardhyl Agasi:- “Nuk është mbështetur kërkesa e opozitës, sepse nuk ka bazë qoftë në Kushtetutë, qoftë edhe ligjore dhe me argumentet që u sollën nga juristët tanë, ne si grup, në qoftë se do të ripërsëritet nga opozita, jemi të vendosur për të mos e aprovuar”.

Sabit Brokaj:- “Po natyrisht që ne s’mund të bëjmë veprime që s’kanë mbështetje ligjore dhe s’mund të ngrihet se një komision i tillë është i paligjshëm”.

Një tjetër kërkesë e opozitës, ajo për mbylljen e magazinave doganore është hedhur poshtë nga socialistët. Ndërkohë, kryetari i grupit Ruçi njoftoi, për marrëveshjet e arritura me aleatët e koalicionit Gjinushi, Dule, Ceka e Xhuveli, për të arritur kuorumin mbi 84 vota, për mbylljen e dyqaneve pa taksa në pikat kufitare.

I vetmi debat në këtë mbledhje ka pasur protagonist deputetin Bashkim Fino dhe Ministrin e Financave Kastriot Islami, lidhur me deklaratën e këtij të fundit, për segmente të caktuara të socialistëve, të cilët duan rikompozimin e qeverisë aktuale. Islami ka mohuar nëntekstin e deklaratës, ndërsa Nano i ka tërhequr vëmendje, që në raste deklarimesh të tilla, të konsultohet më parë me kryeministrin.

Nano mbrojti argumentet e tij në analizat e kontratave 6 mujore, të ministrave, duke i siguruar deputetët se nuk ka qenë një proces për prerje kokash./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame