Korça ka pritur pasditen e së enjtes kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama dhe ekipin e deputetëve të qarkut. Në tubimin e mbajtur në sheshin kryesor të qytetit, Rama ka kërkuar votën e korçarëve për ekipin e Partisë Socialiste që garon në këtë qark. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se vota e korçarëve më 28 qershor nuk shkon për një njeri të vetëm dhe se korçarët duhet të votojnë për Partinë Socialiste e cila do të sjellë ndryshimin e shumëpritur.
Edi Rama: “Edhe 24 ditë për të inauguruar rrugën e politikës së re në qeverisë edhe 24 ditë për t’i dhënë më në fund Korçës të gjithë fuqinë që i duhet me shpejtësinë e ëndrrave dhe me thellësinë e shpresave të qytetarëve të saj. Për tu ribërë Parisi i vogël shqiptar dhe për t’u rrethuar nga fusha ku prodhimi nuk mbetet më kurrë pa shitur siç ndodhi me grurin këtë vit. Nga sipërmarrje prodhuese që do të garantojnë prodhim duke u çliruar nga çmimet dhe pagat e referencës dhe presioni policor i një shteti të paaftë për të qenë shteti i qytetarëve.”
Rama rikujtoi edhe një prej premtimeve të pa mbajtura sipas tij të kryeministrit Berisha në vitin 2005, lëvizja e lirë e qytetarëve.
Edi Rama: “Nuk do të jem një kryeministër si Sali Beisha, dhe si të tjerë ish kryeministra që sot ju kërkojnë përsëri votën edhe pse janë provuar e stër provuar dhe nuk dinë, nuk, munden dhe nuk duan të bëjnë asgjë tjetër me votën tuaj përveçse t’ju humbasin edhe 4 vjet të tjera si këto 18 vjet.”
Në fund të tubimit Rama është bashkuar festës elektorale nën ritmin e këngës së fushatës të Partisë Socialiste./tvklan.al