Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Ringjallen lidhjet e vjetra mes Partisë Socialistëve dhe aleatëve më të vegjël në koalicionin qeveritar Aleanca për Shtetin. Socialistët do të kërkojnë votat e socialdemokratëve, liberal demokratëve dhe PBDNJ, në balotazhet e 15 Tetorit për zgjedhjet lokale.
Gramoz Ruçi:- “Marrëveshja që është bërë me aleatët tonë politik, do të rifreskohet do të rishqyrtohet, në kohën dhe në momentin e duhur kur të merret rezultati i datës 1 Tetor. Unë mendoj dhe gjykoj që nuk ka ndonjë gjë që i ndan aleatët tanë politik”.
Ndaj ofertës së socialistëve kanë reaguar Gaqo Apostoli dhe Neritan Ceka.
Gaqo Apostoli:- “Në balotazh bashkëpunimi si të thuash është edhe i detyrueshëm, ndoshta edhe pa marrëveshje, elektoratet tona do të votojnë për njëra-tjetrën. Pra në rastin tonë, elektorati socialdemokrat do ta mbështesë kandidatin e PS, po kështu edhe në rastin e ndonjë balotazhi të PSD, elektorati socialist do ta mbështes patjetër, për arsye se janë elektorate që i përkasin qendrës së majtë apo edhe të majtës. Në këtë kuptim bashkëpunimi pas 1 Tetorit do të jetë është një bashkëpunim i pashmangshëm”.
Neritan Ceka:- “Jemi gati për koalicione, por koalicione partneriteti dhe jo koalicione vasaliteti, siç ka qenë në filozofinë dhe ideologjinë e PS-së. Natyrisht që mbështetja do të duket që në balotazhin e 15 Tetorit, por kjo do të jetë gjithmonë në kushtet e krijimit të një partneriteti edhe të perspektivës të bashkësundimit në të mirë të Shqipërisë”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame