Socialistët zgjodhën sot Korçën, një qytet që nuk pati kontestime nga asnjëra palë për manipulime në zgjedhjet e 28 qershorit. Protagonisti i tubimit opozitar të radhës për hapjen e kutive të votimit ishte sërish avokat Ngjela, i cili që prej 2005 kur gjendej krah Berishës nuk ka folur në tribuna përballë njerëzve.

Pavarësisht se fliste përballë një numri të vogël mbështetësish të opozitës në Korçë, Ngjela nuk ngurroi sërish të bënte apel për dhunë në mitingun e paralajmëruar të opozitës më 20 nëntor në Tiranë.

Spartak Ngjela: “Sepse revolta është gjuha me të cilën dëgjon ai që nuk ka dashur të dëgjojë, ka thënë një njeri i madh si Martin Luter Kingu para disa dekadash. Kjo është gjuha zotëri e cila duhet të na bëjë të përgjegjshëm. Edhe muri i Berlinit mund të rrëzohej nga qeveritarët uzepertor, por e rrëzoi populli zotëri se ata flinin nën mur. Ky është fati ynë i keq, por ama fatin duhet ta bëjmë vetë dhe fati vjen me forcë dhe forcë do të thotë mbështetje popullore.”

Nisur dhe nga fakti që avokati foli gjatë dhe veç të tjerash u shqua për përdorimin e gjuhës së ashpër, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama mbajti gjithashtu një fjalim më të gjatë se sa ai që kishte përgatitur. Ai renditi arsyet që sipas tij qeveria duhet t hapë kutitë e 28 qershorit ndërsa shtoi se protesta e 20 nëntorit është dita e shqiptarëve, për të shembur sipas tij murin që ka krijuar qeveria ndaj gjithë shqiptarëve.

Edi Rama: “Dje Evropa festoi 20 vjetorin e shembjes së muri të Berlinit. Në 20 nëntor ne do të protestojmë për të shembur murin që prej dekadash i pengon shqiptarët të votojnë lirisht, të numërojnë ndershmërisht votën e tyre. Për të shembur murin e politikës së vjetër 20 vjeçare të premtimeve të pambajtura dhe të zullumeve të papërmbajtura. Për ët shembur murin që na pengon të shohim lirisht botën ton duke hapur lirisht botën tonë duke hapur kutitë e votimit.”

Mitingu i opozitës në Korçë siç shihet ishte një nga grumbullimet me më pak mbështetës të opozitës në protestë. Jo vetëm për faktin se Korça nuk pati asnjë kontestim politik për këto zgjedhje, por edhe për shkak të apeleve të njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve që i kërkojnë Partisë Socialiste të kthehet në kuvend. Tubimet e socialistëve po ndiqen gjithnjë e më tepër nga më pak mbështetës./tvklan.al

Gazetare Brunilda Cami