Protesta e radhës për zgjedhjet e 28 Qershorit e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama është zhvilluar në Lushnje.
Avokat Spartak Ngjela, pjesëmarrës i zakonshëm në këto protesta, ka lëshuar një tjetër deklarate të çuditshme.
Ai ka ftuar gjithë shqiptaret që ti bashkohen opozitës në mitingun e opozitës me 20 Nëntor në Tiranë, ndërsa la të kuptohej që nëse mazhoranca nuk bie dakord për të hapur kutitë, ato mund të hapen me dhunë.
Spartak Ngjela: “Hapi kutitë do t’i themi deri në datën 20, në datën 20 në daç t’i hapi në daç mos t’i hapi kutitë do t’i hapim vetë.”
Duke përfituar edhe nga fakti se avokati foli pak në mitingun e Lushnjës, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, mbajti fjalimin e zakonshëm përpara mbështetësve të paktë të ardhur nga disa zona Myzeqesë dhe nga Tirana.
Ai ka përsëritur se opozita nuk do të hyje në Kuvend, ndërsa ka rreshtuar sipas tij arsyet se përse e bëjnë opozitën të marrë këtë vendim.
Edi Rama: “Sali Berisha nuk do që kutitë e votimit të 28 qershorit të hapen sepse ato kuti janë fundi i pushtetit të familjes së tij. U flas shqiptarëve për luftë dhe tolerancë zero ndaj krimit ndërsa vrasësi dhe trafikantët i nxjerr nga burgjet për të marrë për të marrë me ndihmën e tyre mafioze vota shqiptarësh e shqiptaresh. Më 20 nëntor ne do të rimblidhemi të gjithë në Tiranë më të shumtë dhe më të vendosur se kurrë për të kërkuar me më shumë forcë se asnjëherë tjetër një të drejtë që nuk na e ka dhënë Sali Berisha.”
Lushnja ishte stacioni i radhës i protestave të socialistëve kundër legjitimitetit të zgjedhjeve të 28 Qershorit, ndërsa deri më 20 Nëntor Partia Socialiste do protestojë edhe në disa qytete të tjera të vendit./tvklan.al