Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Socialdemokrate ka hapur pasdite fushatën elektorale në Pallatin e Kongreseve. Edi Rama do të jetë edhe kandidati i socialdemokratëve për bashkinë e Tiranës. Kryetari i PSD Skënder Gjinushi i ka bërë thirrje të gjithë mbështetësve të tij të votojnë për Ramën, për t’i dhënë kështu opozitës dhe kryetarit të saj Berisha, goditjen e merituar sipas tij.

Skënder Gjinushi:- “Berisha thotë, më bëni edhe njëherë nuse, pa do të dijë të nusërojë, por ne nuk kemi as kohën, as kurajën, as prirjet e nevojshme, për ta provuar edhe njëherë Saliun si nuse. Tentoi Nano para një viti, por nuk ngjiti. Prandaj ne socialdemokratët jemi të sigurt në fitoren e 12 Tetorit. Fitorja jonë do të fillojë me Tiranën, me Edi Ramën. Në 12 Tetor, do të jetë i pari Ngjela që do ta kuptojë se Berisha ia ka dhënë biçikletën pa shalë”.

Më pas fjalën e ka marrë Edi Rama, i cili do të kandidojë në 12 Tetor edhe me siglën e PSD.

Edi Rama:- “Sot takova një zanatçi të vjetër në lagjen time, që jeton me rrobaqepësi dhe që tradicionalisht ka votuar për PD. Votën time e ke hallall më tha, por këtyre të majtëve unë nuk ua japë. E kam dëgjuar disa herë këtë shprehje që ndan votën për mua nga vota për shumicën aktuale të këshillit bashkiak, por nuk kam munguar asnjëherë t’u them bashkëbiseduesve të mijë, atë që po u them juve sot këtu në këtë sallë dhe që ju duhet t’ia thoni të gjithë banorëve të Tiranës, vota për mua nuk duhet të ndahet nga vota për shumicën socialiste, socialdemokrate dhe progresiste, që qeverisë aktualisht Tiranën përmes këshillit bashkiak”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka