E paqartë mbetet arsyeja e përplasjes fatale të aeroplanit me helikopterin në Uashington të Shteteve të Bashkuara. Siç shkruajnë mediat e huaja, Aeroporti Ndërkombëtar “Ronald Reagan” ndodhet shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, një pikë kyçe për fluturimet, por gjithashtu ndër aeroportet më të ngarkuara e komplekse në SHBA. Nisur nga kjo, ekspertët e aviacionit thonë se ekzistojnë disa kufizime për fluturimet dhe rregulla strikte për hyrjet e daljet nga pista. Megjithatë, ata nuk arrijnë ta kuptojnë se si një sistem aq i sofistikuar i hapësirës ajrore në DC, çoi në këtë tragjedi.


Duke vërejtur mënyrën si ka fluturuar aeroplani dhe komunikimet  në radio, mësohet se helikopterit “Black Hawk” i është kërkuar të mbante distancë prej tij. Kështu thotë një zyrtar i Autoritetit të Sigurisë së Aviacionit Civil në SHBA.

Por pse ekuipazhi i Black Hawk nuk e respektoi këtë urdhër?! Ky i fundit po kryente një fluturim stërvitor, pak para përplasjes, ndërsa vlen të theksohet se “Washington Tower” ka dy frekuenca të radios për komunikimet me avionë. Një tjetër pyetje që lind është pse “pilotët nuk kanë komunikuar me kullën pak para incidentit, në rast se ka pasur një problem teknik?!”

Që prej orës lokale 21:00 të Mërkurën, vijon misioni i shpëtimit në lumin Potomac.

/tvklan.al