Rakacolli tregon si u vendos orari i kufizimeve
Nga data 24 Dhjetor e deri më 4 Janar, lëvizja në vendin kufizohet nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit. Prej datës 5 Janar, kufizimet rikthehen në orën 22:00 të mbrëmjes, siç ishte më parë. E ftuar këtë të shtunë te “Rudina”, Zv/Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tregoi edhe arsyen se përse Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur këto lloj kufizimesh. Rakacolli tha se kur u mor fillimisht vendimi për kufizim në orën 22:00 erdhi pasi nga hetimi epidemiologjik rezultoi se qëndrimi më gjatë nëpër kafe e restorante ishin faktorë që ndihmonin në përhapjen e Covid-19. Zv/Ministrja tha se jo vetëm koha e qëndrimit, por edhe fakti që gjatë daljeve njerëzit konsumojnë edhe alkool kjo i bën më të dashur dhe më të afruar me të tjerët, e për pasojë duke e bërë virusin më të lehtë për t’u transmetuar.
“Oraret nuk vendosen asnjëherë apriori. Vendosja e orareve dhe masave bëhet gjithmonë në bazë të vlerësimit të situatës dhe indikatorëve që kanë çuar në atë situatë. Dhe orari 22:00 që ishte para javës së kaluar, u vendos duke parë që numrat ishin rritur, u bë ajo që quhet hetimi epidemiologjik, pra rastet u hetuan, u vlerësua mundësia ku mund ta kishe marrë dhe shumica e kishte marrë, lidhej shumë me ndenjen në orë të zgjatura sidomos nëpër bare dhe restorante. Janë edhe ato orët që konsumohet pak alkool, alkooli të çon edhe pak në eufori dhe nuk e ke shumë veten në kontroll dhe afrohesh diçka më tepër, flet me zë të lartë, edhe këndon, edhe virusi shpërndahet… Pra vërtetë që virusi është gjatë 24 orëve, por mundësitë për ta marrë janë më të mëdha në përqendrime dhe në orë të caktuara”./tvklan.al