Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, bëri një propozim për zgjidhjen e ngërçit për thirrjen e Kuvendit Kombëtar për të cilin janë dorëzuar firmat e më shumë se 4200 anëtarëve në zyrën e tij. Paloka tha se të dyja palët mund të zgjedhin nga një përfaqësues që të verifikojë formularët e dorëzuar.

Mirëpo kjo nuk është pranuar nga pala tjetër. Në një lidhje “Skype”, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi ka folur në lidhje me këtë çështje.

I pyetur nga gazetarja Mirela Milori se pse nuk kanë rënë dakord me propozimin e Palokës, Bardhi është shprehur se kjo është një procedurë statuore dhe partia e PD-së funksionon me rregulla të caktuara.

Mirela Milori: Pyetja ime është në qoftë se sot Paloka iu bëri një propozim të dy palëve dhe Z. Berisha tha, “ok” unë jam dakord që të dërgoj përfaqësuesin tim për të verifikuar 4200 firma.

Gazmend Bardhi: Jo, Z. Paloka përcolli kërkesën e Z. Berisha, nuk bëri propozim mbi palët. Nuk është interpretimi im, është fakt publik. Në lajme është dhënë se Z. Paloka ka deklaruar se ka patur një takim me Z. Berisha dhe ka bërë një propozim të Z. Berisha, pra ka luajtur në këtë rast rolin e zëdhënësit të Z. Berisha.

Mirela Milori: Të erdhi një propozim nga kreu i Këshillit Kombëtar të partisë tuaj, nuk ka rëndësi emri i përveçëm. Z. Berisha e pranon, po ju pse nuk e pranoni për të tejkaluar gjithë këtë situatë të krijuar sepse opinioni që krijohet nga gjithë kjo përplasje është që ju nuk keni vullnet të bashkoheni, por doni të ndaheni si ju nga Berisha, si Berisha nga ju dhe nuk pyesni më për PD-në, pyesni për secili për sektin e vet apo le të themi për fransksionin e vet. Përsa është kaq e vështirë? Dy përfaqësues, verifikoni firmat dhe kaq.

Gazmend Bardhi: Sepse nuk është procedurë statutore kjo që sapo shpjeguat ju dhe ne në parti nuk funksionojmë me rregulla që i shkon në mendje një mëngjes ndryshe dhe një darkë ndryshe Sali Berishës apo cilitdo qoftë ai. Partia Demokratike ka rregulla dhe nuk shpik rregulla sa herë kemi një hall personal./tvklan.al