Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka publikuar pamjet e kamerave të sigurisë së një shtëpie private që ra pre e vjedhjes. Ngjarja ka ndodhur më 24 Shkurt të këtij viti në Farkë të Madhe në Tiranë.

Kanë qenë dy persona me kapuç të cilët hynë brenda banesës dhe vodhën kasafortën me para. E gjithë skena është filmuar nga kamerat e sigurisë së banesës.

Autorët mbanin në mbikëqyrje pronaren e shtëpisë deri sa ajo të dilte nga banesa. Ishte ora 06:01 e mëngjesit të datës 24 Shkurt, kur e zonja mbylli derën jashtme dhe u nis për në punë.

Në këtë moment, dy autorët, të cilët duket se po e ruanin në distancë, u futën në oborrin e banesës nga pjesa e pasme duke kapërcyer rrethimin e gardhit. Sipas kamerave të sigurisë, ora shënonte 06:08.

Autorët provuan disa dritare duke tentuar që t’i hapnin me qëllim për të hyrë brenda në shtëpi. Ata provuan edhe derën kryesore të banesës, por pa rezultat. Më pas u rikthyen tek dritaret që provuan fillimisht. Pas disa tentativa, njëri prej tyre hapi dritaren në pjesën anësore të shtëpisë. Ky moment është filmuar nga kamera e sigurisë. Arrijnë të hyjnë brenda banesës duke u ngjitur nga dritarja.

Brenda ambienteve të brendshme, ata kontrolluan për gjithçka, duke kërkuar sende me vlerë, para dhe çdo gjë tjetër. Pas disa minutave, hajdutët arritën të gjenin një hapësirë ku familja mbante kasafortën me 10 milionë Lekë të vjetra. Pasi e morën, u larguan sërish andej nga ishin futur, duke kapërcyer gardhin rrethues në pjesën e pasme të banesës. Në momentin që u larguan, ora shënonte 06:43 minuta. Kur kanë kaluar 8 muaj nga kjo vjedhje e kasafortës, policia nuk ka ende asnjë të arrestuar si autor të dyshuar të kësaj ngjarje. /tvklan.al