Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Shkeljet në dosjet e debitorëve të firmave piramidale, kanë shkaktuar humbje në disa miliona dollarë. Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit ka publikuar, se pjesa më e madhe e personave që detyrohen ende shuma të mëdha parash ndaj firmave piramidale, janë ata që kanë tërhequr para apo pasuri të tjera nga firma VEFA.

Nga 2300 dosje debitorësh në të gjithë vendin, 1600 prej tyre i përkasin vetëm Tiranës. Pas firmës VEFA, e cila në Tiranë ka 1000 debitorë, vijnë firmat e tjera Silva, Gjallica, Kamberi etj. Deri në vitin 2001 me urdhër të administratorëve të fajdeve dhe vendimeve të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, janë liruar nga detyrimi përkatësisht 30 dhe 20 debitorë.

E përkthyer në shumë parash, humbja si pasojë e mos shlyerjes së detyrimit, shkon rreth 170 milion lekë të reja. Kjo shumë është në dëm të dhjetëra mijëra qytetarëve, që depozituan deri në fund të vitit 96, paratë e tyre në firmat piramidale.

Krerët e përmbarimit, pranojnë se ka pasur mangësi të theksuar profesionale nga punonjësit e këtyre zyrave. Megjithatë, fajin për këtë humbje skandaloze parash, që ende nuk publikohet në xhepat e kujt ka përfunduar, përmbarimi e ndan me administratorët e fajdeve./tvklan.al