Një punonjës policie është përplasur nga një makinë ndërkohë që po patrullonte. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme pranë Muzeut të Dëshmorëve në Durrës.
Korrespondentja e Klan News, Enkeleda Arapi, raporton se efektivi ka qenë në shërbim në kohën që është goditur tek vizat e bardha nga një makinë që lëvizte në atë zonë.
Ai është dërguar drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore. Nga të dhënat e para, mësohet se ai është jashtë rrezikut për jetën dhe ka pësuar dëmtime të lehta vetëm në njërën këmbë.
Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, ndërsa ka nisur hetimin për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Durrës | Rreth orës 19:45, në lagjen nr. 9 Durrës, automjeti me drejtues shtetasin R. A, është përfshirë në një aksident me këmbësorin, shtetasin G. H, (punonjës policie) i cili është në spital, në kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit shtetasi R. A, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Durrës, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
/tvklan.al