Qendra e Studimeve Albanologjike po zhvillon në Tiranë simpoziumin shkencor “Vepra themelore në albanologji”. Veprimtaria synon të promovojë e ndihmojë në rrezatimin e studimeve shqiptare dhe në njohjen e tyre në plan sa më të gjerë ndërkombëtar. Në ditën e parë të aktivitetit përshëndetet zëvendëskryeministri Genc Pollo, si dhe Ministri i Arsimit Fatos Beja.
Genc Pollo: “Duhet të jemi të gëzuar që edhe në saj të përkrahjes buxhetore, Qendra e Studimeve Albanologjike organizon ose sjellë në Tiranë sërish simpoziume të cilat kanë një dimension të gjatë ndërkombëtarë dhe produktet e këtij simpoziumi, të gjithë shpresojmë, ne besojmë që ka një vlerë shkencore të shtuar”.
Fatos Beja: “Në një farë mënyre sot dhe dy ditët në vijim, janë ditët e t’korrave, ditët e bereqetit, të cilat janë gjithmonë ditë të gëzuar për ata që mbjellin, por dhe për ata që e shijojnë prodhimin. Pra për të gjithë ne, për të gjithë shqiptarët”.
Simpoziumi organizohet në 4 sesione punë, përkatësisht: kërkime gjuhësore, kulturo-letrare, etnologjike dhe historike. Në fund të punimeve do të jepet edhe çmimi i albanologjisë për tri veprat më të votuara, të cilat sjellin kontribut madhor në zhvillimin e albanologjisë./tvklan.al