Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Qendra e Tiranës do të pushtohet nga këmbësoret. Në një të ardhme të afërt në sheshin “Skënderbej” nuk do të lëvizin makinat. Për lëvizjen e automjeteve do të ndërtohet një unazë e re që do të kaloj pas hotel Tiranës, duke evituar sheshin Skënderbej.

Në mbledhjen e Këshillit të Rregullim të Territorit të Shqipërisë, kryeministri Majko ka vënë veton mbi projektin e qendrës së biznesit në vendin ku ngrihej monumenti i Enver Hoxhës. Në vend të saj Majko ka preferuar të vërë monumentin e Nënë Terezës, të rrethuar nga lulishtet.

Për sistemimin e qendrës së Tiranës qeveria do të japë 15 milion lekë të reja. Qarkullimi në rrugën e Durrësit dhe Kavajës do të bëhet me idenë e nënkalimeve për këmbësorët dhe për aktivitetet tregtare. Pranë Bankës Kombëtare parashikohet të ndërtohet kisha ortodokse. Ndërtesa aktuale e Teatrit Popullor do të rikonstruktohet, ndërkohë që do të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar, që kërkon një sipërfaqe prej 10 mijë m2.

Majko e ka argumentuar shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta me shtimin e popullsisë së Tiranës 1.5 milion banorë në shekullin e ri./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame