Pasditen e kësaj të marte të ftuarit në studion e “Rudina” diskutuan sa i përket lajmit që qarkullon për rritjen e çmimeve të apartamenteve me 15%, kryesisht në kryeqytet. Ekspertët në studio, në bazë dhe të eksperiencave të tyre shumë vjeçare në tregun e pasurive të paluajtshme, ndanë mendime të ndryshme sa i përket kësaj rritjeje dhe zonat që do të prekë më së shumti.
Armelinda Shtiza dhe Dritan Ballgjini ndanë të njëjtin mendim sa i përket rritjes së çmimit të apartamenteve. Ata thanë se rritja me 15% nuk do të prekë qendrën e kryeqytetit pasi kjo e fundit e ka arritur limitin e saj. Por, mendimet e tyre u ndanë sa i takon periferive të Tiranës. Armelinda Shtiza tha se periferitë po ashtu nuk do të kenë rritje, kurse Dritan Ballgjini kundërshtoi mendimin e saj, sepse sipas tij ndër vite është parë një rritje në këto zona. Një rritje e cila do të vazhdojë të prekë zonën e Freskut, Paskuqanit e disa të tjera.
Armelinda Shtiza: Rritja e çmimeve në periferi të Tiranës ka qenë siç është Astiri, Bulevardi i ri në fillimet e veta me 900. Mendoj se periferitë e Tiranës nuk do të kenë më vrull të madh rritje vlerash për apartamente, për të blerë shtresa e mesme. Absolutisht që jo. Përkundrazi unë do të them që do të rrinë në këto çmime që janë. Periferinë e Tiranës unë nuk e shikoj në rritje në krahasim me vendet e Ballkanit, sepse ne kemi kaluar çmimet e periferive. Ndërsa qendra e Tiranës dhe bregdeti po. Periferia ka arritur standardin e saj.
Dritan Ballgjini: Statistikat nuk ta lejojnë këtë. Astiri për 2 vjet është rritur gati me 30%, ke Paskuqanin që është 35% i rritur, Fresku me 20%. Unë mendoj se qendra e Tiranës nuk do të reflektojë më rritjen me 15%. Nuk ka për ta reflektuar më sepse e ka arritur pikun, kurse periferitë do të vazhdojnë të kenë rritje, por jo 15%./tvklan.al